Telegrafi

Billy Gilmour rrëfen abuzimin që përjetoi te Norwichi: Familja ime nuk vinte më në ndeshje

(Foto: Instagram/billygilmourrr)

Mesfushori i Chelseat, Billy Gilmour, ka rrëfyer për abuzimin me të cilin ishte përballur në sezonin e kaluar, gjatë të cilit ishte i huazuar te Norwich City dhe kishte kërkuar nga familja e tij të mos shkonte për t’i shikuar ndeshjet për shkak të periudhës së vështirë që kalonte.

Skocezi nënshkroi marrëveshje njëvjeçare huazimi në Norfolk, mirëpo dështoi të kishte ndikimin e pritur te klubi që ra nga Liga Premier në Championship.

Si një rekrut afatshkurtër, ai u shndërrua në ‘fajtorin’ që i zemëronte tifozët në tribuna – dhe tani futbollisti ka diskutuar për vështirësitë e përballjes me një abuzim të tillë gjatë një sezoni të ashpër.

(Foto: Instagram/billygilmourrr)

“Ishte vështirë. Gjithashtu, ishte vështirë edhe për familjen time. Kur e ke familjen në tribuna dhe ata bërtasin (me ofendime), nuk është gjë e mirë, por unë thjesht e ulja kokën. Nuk është gjë e mirë (për t’u parë)”.

“Ata (familjarët) ndaluan së ardhuri në ndeshje dhe kjo nuk ishte mirë. Ata nuk dilnin për ndeshjet e fundjavës, por rrinin në shtëpi”.

“Është opinioni i tifozëve. Ata vijnë t’i shohin ndeshjet dhe paguajnë për biletat dhe bërtasin, por ajo që ndodhi nuk ishte gjë e mirë për t’u dëgjuar”.

(Foto: Instagram/billygilmourrr)

“Ishte një sezon i vështirë. Shkova atje me idenë që të jepja më të mirën dhe në disa ndeshje ia dola, kurse në disa të tjera jo, prandaj mora përvojë nga kjo dhe më do të më ndihmojë për të shkuar përpara”, ka deklaruar Gilmour për The Times.

Mesfushori 21 vjeçar pritet të bisedojë me trajnerin e Chelseat, Thomas Tuchel, nëse do të qëndrojë në Stamford Bridge këtë sezon apo do të huazohet sërish. /Telegrafi/