Bill Gates thuhet se ishte këshilluar në vitin 2008 nga drejtuesit e kompanisë që të ndërpriste komunikimin e papërshtatshëm me një punonjëse femër, sipas një raporti të ri.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, pretendimet, të botuara nga Wall Street Journal, janë të fundit që hedhin dritë mbi sjelljen e keqe të mundshme nga Gates, ndërsa ai ishte ende duke punuar në Microsoft.
Wall Street Journal kishte zbuluar më parë pretendimet se Gates u largua nga bordi i kompanisë në mes të një hetimi për një lidhje të kaluar me një punonjës.
Në kohën kur ai u largua nga roli i tij në vitin 2020, Gates tha se po tërhiqej për t’u përqendruar në përpjekjet e tij filantropike.
Sidoqoftë, raporti i gazetës zbuloi se anëtarët e bordit në Microsoft “e nxorën Gates jashtë” pasi ata hetuan një marrëdhënie të dyshuar të papërshtatshme që ai kishte me një punonjëse femër.
Dhe pretendimi më i fundit i Wall Street Journal tani thotë se më shumë se një dekadë para largimit të Gates nga Microsoft, drejtuesit kishin zbuluar e-maile mes Gates dhe një stafi femër të nivelit të mesëm.
Raporti i ri pretendon se Gates ishte flirtues dhe i propozoi punonjëses femër me e-mail.
Në atë kohë, Gates ishte i martuar dhe ishte ende kryetar i bordit në Microsoft.
Sidoqoftë, në një deklaratë për The Guardian, një zëdhënës i Gates mohoi raportin më të fundit të “WSJ” se ish-ekzekutivi ishte përfshirë në komunikime të papërshtatshme me e-mail.
“Këto pretendime janë thashetheme të rreme, të ricikluara nga burime që nuk kanë njohuri të drejtpërdrejta, dhe në disa raste kanë konflikte të rëndësishme interesi”, citohet të ketë thënë zëdhënësi.
Ndryshe, Gates gjithashtu është kritikuar kohët e fundit për raportet se ai ishte takuar më parë me financierin dhe trafikantin e seksit Jeffrey Epstein disa herë, sipas New York Times.
Gates themeloi Microsoft në vitin 1975 dhe u bë një nga njerëzit më të pasur në botë.
Gates dhe gruaja e tij, Melinda Gates, u divorcuan në gusht pas gati 30 vitesh së bashku. Dyshja ende drejtojnë Fondacionin Bill dhe Melinda Gates, organizatën filantropike që ata themeluan së bashku. /Telegrafi/