Telegrafi

Bill Gates dhe Melinda janë shkurorëzuar zyrtarisht

(Foto: The Verge)

Bill Gates dhe Melinda French Gates janë shkurorëzuar zyrtarisht, pasi gjyqtari përfundoi divorcin e tyre të hënën. Kështu tregohet nga të dhënat e gjykatës që i posedon TMZ.

Dokumentet përfundimtare të divorcit thonë se Melinda nuk do ta ndryshojë mbiemrin e saj dhe se as ajo as Bill nuk do të marrin alimentacion nga njëri-tjetri.

Pasuria neto e Gates vlerësohet në më shumë se 130 miliardë dollarë, dhe meqenëse nuk nënshkruan një marrëveshje para martesës, Melinda mund të përfundojë me më shumë se 65 miliardë dollarë pasuri.

(Foto: Al Jazeera)

Tashmë ish-çifti që kanë tre fëmijë të rritur bashkë, njoftuan se do të divorcohen në maj 2021 pas 27 vitesh martesë.

Lexo po ashtu Bill Gates mund ta largojë nga fondacioni bamirës Melinda Gatesin

Sipas The Wall Street Journal, Melinda French Gates thuhet se e kishte dashur shkurorëzimin që në vitin 2019, kur ishte raportuar se bashkëshorti i saj kishte lidhje me financierin tashmë të vdekur, Jeffrey Epstein, i cili ishte dënuar për keqtrajtim seksual.

Edhe pas lajmeve për shkurorëzimin ndërmjet Bill dhe Melinda kishte pasur spekulime që e etiketonin miliarderin si një ngacmues në zyrë dhe që kishte kryer marrëdhënie seksuale duke e detyruar palën tjetër. /Telegrafi/