Në ditët më të nxehta të fushatës së zgjedhjeve presidenciale, Bill dhe Hillary Clinton kanë pasur një përplasje të ashpër lidhur me përpjekjet e kandidates demokrate për të akuzuar ndërhyrjen e drejtorit të FBI-së, James Comey, në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Daily Mail ka zbuluar disa pjesë të sherrit në familjen Clinton, ndërsa ish-presidenti amerikan tregohet të ketë qenë shumë i nxehur, duke flakur edhe telefonin nga dritarja.
Një nga ndihmësit e afërt të Bill Clintonit bëri të ditur se ndodhej me ish-presidentin në Little Rock (Arkansas), kur ai po zhvillonte një debat të ashpër me Hillary Clinton në telefon. “Ajo e akuzonte Comey-n se kishte rihapur hetimin për çështjen e email-eve dhe përdorimin e serverit privat, duke ndikuar në fushatën e saj zgjedhore”, u shpreh burimi.
Sipas tij, Bill nuk e pranoi justifikimin se veprimet e shefit të FBI-së do t’i kushtonin Hillary Clintonit.
Pakënaqësia e ish-presidentit të SHBA-së ishte e drejtuar te stafi i fushatës së kandidates demokrate.
Menaxheri i fushatës, Robby Mook, drejtuesi i fushatës John Podesta dhe vetë Hillary akuzoheshin nga Bill Clinton se nuk kishin ngritur në mënyrë të përshtatshme çështjet e ekonomisë dhe ndikimit të saj në miliona e miliona votues të klasës punëtore, transmeton Shekulli.
“Bill ishte aq i kuq në fytyrë gjatë bisedës së tij me Hillaryn, sa unë u frikësova se do të pësonte një atak në zemër. Ai u zemërua aq shumë, sa e hodhi telefonin e tij jashtë dritares së apartamentit dhe në drejtim të lumit Arkansas”, rrëfeu bashkëpunëtori i tij.
Bill ka një apartament luksoz, me një kopsht të jashtëm, në Librarinë dhe Muzeumin Presidencial “Clinton” në Little Rock.
Gjatë fushatës, Bill Clinton e ndjente se ishte i injoruar nga ndihmësit kryesor të Hillary Clintonit, teksa ai i nxiti ata ta vendosnin ekonominë në qendër të fushatës presidenciale.
Ai në mënyrë të përsëritur u kërkonte ndihmësve të fushatës të krijonin kontakte me njerëz, të cilët ishin lënë mënjanë nga revolucioni në teknologji dhe globalizimi.
“Bill shprehej në mënyrë të vazhdueshme se duke e sulmuar Trump në defektet e tij e bënte Hillaryn dhe median të lumtur, por ky nuk ishte një mesazh në rezonancë me votuesit”, shpjegoi burimi.