Telegrafi

Bill Cosby shkarkon gjithë ekipin e avokatëve pasi shpallet fajtor për keqtrajtim seksual

Bill Cosby (Foto: Getty Images)

Aktori Bill Cosby e ka shkarkuar gjithë ekipin e avokatëve që e kanë përfaqësuar, pasi u shpall fajtor për keqtrajtim seksual në tri pika të paditës ndaj tij.

80-vjeçari rrezikon të dënohet deri në 30 vjet burg për shkak të abuzimit, drogimit dhe keqtrajtimit të Andrea Constand, në shtëpinë e tij në janar të vitit 2004.

Andrea Constand (në mes) (Foto: Getty Images)

Pjesë e ekipit të avokatëve të tij ka qenë edhe Tom Mesereau, i cili kishte arritur ta lironte të ndjerin Michael Jackson nga akuzat për keqtrajtimin e fëmijëve.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për Bill Cosbyn

Cosby menjëherë e ka angazhuar avokatin e ri, Joseph P. Green Jr., i cili ka të fituara mbi 100 raste dhe shpreson që ta mbrojë nga burgu.

Kjo është hera e dytë që aktori e ndërron ekipin e avokatëve, edhe pse nuk është e zakonshme që avokatët të ndërrohen pas vendimit të gjykatës dhe paralajmërimit të ankesës.

Bill Cosby duke u larguar nga gjykata (Foto: Getty Images)

Juria ka kaluar më shumë se 14 orë duke marrë vendimin për ta shpallur fajtor Cosbyn, të cilin Constand e ka akuzuar se i ka dhënë barna dhe e ka përdhunuar në shtëpinë e tij në Philadelphia para 14 vitesh.

Komiku i kishte hedhur poshtë akuzuar, ndërsa aktualisht ndodhet në arrest shtëpiak derisa t’i shqiptohet dënimi. /Telegrafi/