Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, në një dokumentar të ri ka folur për aferën me Monica Lewinskyn duke thënë se ndihet shumë keq kjo gjë e ka definuar në mënyrë të padrejtë jetën e saj.
Kur është pyetur për arsyen e fillimit të aferës me të, ai ka thënë se ka qenë një nga shumë gjërat, siç është përballja me presionin, zhgënjimet dhe frikën e jetës.
Clinton ka shtuar se në atë periudhë edhe bashkëshortja e tij, Hillary, ka qenë e shkatërruar, por ndihet i lumtur që në fund kanë mbetur bashkë.
“Të gjithë ne nga nganjëherë bëjmë gjëra që nuk duhet t’i bëjmë. Ajo që kam bërë ka qenë e tmerrshme”, ka thënë 73-vjeçari i emocionuar.
Si president i SHBA-ve, Clinton ka pasur marrëdhënie intime me Lewinskyn, e cila asokohe ishte 22 vjeçare dhe punonte si stazhiere në Shtëpinë e Bardhë. Në vitet e fundit, Monica ka folur haptas për marrëdhëniet me ish-presidentin amerikan dhe si ka ndikuar në jetën e saj.
“Nuk kam menduar rreth rrezikut. Askush që bën një budallallëk nuk mendon. Askush nuk ulet të mendojë a është kjo e keqe për familjen time, vendin tim, njerëzit që punojnë për mua”.
“Ndiheni sikur ëndërroni. Është sikur të jeni në një meç prej 15 raundesh që më vonë zgjatet në 30 raunde dhe për një kohë jua merr mendtë. Kjo ndodh”, ka thënë ish-presidenti amerikan duke shtuar se ka ndryshuar shumë në dy dekadat e fundit. /Telegrafi/