Grupi i vajzave, “Spice Girls”, do të nisen në turne gjatë vitit 2019, pa Victoria Beckhamin.
Bileta për koncertet e grupit të popullarizuar tashmë kanë dalë në shitje, mirëpo jo të gjithë fansat mund të sigurojnë bileta.
Ishte njoftuar se biletat do të dilnin në shitje në orën 10:30 të mëngjesit të sotëm (e shtunë) në faqen e Ticketmaster, ndërsa ato kishin dalë në shitje dy minuta më herët.
Fansat janë ankuar në rrjetet sociale se vazhdimisht janë bllokuar nga faqja me përshkrimin: “Diçka shkoi keq”.
Derisa fansat nuk po arrijnë të sigurojnë biletat në Ticketmaster, tashmë faqet tjera kanë nisur shitjen e biletave që i kanë siguruar, çmimi i të cilave shkon deri në 1.000 funte (1.140 euro).
Në Viagogo, biletat kanë nisur të shiten nga 140 funte (160 euro), edhe pse në faqet zyrtare çmimi fillestar i biletave është 66 funte (75.5 euro).
“Spice Girls” do të nisin turneun britanik në vitin e ardhshëm duke mbajtur koncerte edhe në stadiumet e mëdha, si në Etihad Stadium në Mançester (31 maj dhe 1 qershor) apo në Wembley Stadium (14 dhe 15 qershor).
Ky është turneu e parë i përbashkët që nga turneu i ribashkimit të tyre në vitet 2007-2008, ndërkohë që performancën e fundit si “Spice Girls” e kanë bërë në ceremoninë mbyllëse të Lojërave Olimpike në Londër në vitin 2012.
Megjithatë, Victoria Beckham nuk do të ribashkohet me Emma Bunton, Mel C, Mel B dhe Geri Horner, për koncertet e reja. /Telegrafi/