“Biletat për ndeshjen Kosova-Haiti do të dalin në shitje të shtunën. Në Prishtinë ato do të shiten në dy pika, tek sheshi ‘Zahir Pajaziti’ dhe tek Newborni dhe po ashtu në qendrat e qyteteve tjera”, ka theksuar Agron Selimi, menaxher i kompanisë “Art Events”, që iu ka besuar organizimi i kësaj miqësoreje nga FFK-ja në bashkëpunim me kompaninë “KD Events”.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se Përfaqësuesja e Kosovës do të akomodohet në hotelin “Emerald”, kurse ajo e Haitit në “Swis Diamond” dhe ka falënderuar pronarët e këtyre dy hoteleve, të cilët ia kanë mundësuar që akomodimin e këtyre përfaqësueseve ta bëjnë falas. Selimi ka konfirmuar se me sugjerimin e kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri, kanë vendosur që biletat për grupet e tifozëve të organizuar të jepen me çmim 3 euro, por vetëm për pjesën veriore.
Ndërkohë, menaxheri i kompanisë “KD Events”, Kushtrim Demiri, ka dhënë detaje të ndryshme mbi çështjet organizative të kësaj ndeshje. “Kjo ndeshje përveç që është historike për futbollin kosovar është edhe një test i madh për ne dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës. Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet që t’ua mundësojmë të gjithë qytetarëve të interesuar që të vijnë në këtë ndeshje familjarisht dhe të ndihen sa më komod.
Jemi përkujdesur që të mos shkaktohen rrëmuja gjatë hyrjes në stadium, pasi filtrimi i shikuesve do të bëhet në një distancë larg stadiumit. Biletat i kemi bërë me dy kode dhe ato do të skanohen gjatë hyrjes në stadium, prandaj nuk do të ketë mundësi që të bëhen falsifikime”, ka thënë Demiri.
Ai ka bërë të ditur se interesimi për këtë ndeshje është shumë i madh, por i ka lutur qytetarët që ta blejnë biletën sa më herët dhe të mos krijojnë rrëmuja para ndeshjes, pasi nuk do të lejohet askush që të hyjë pa biletë, duke përfshirë këtu edhe fëmijët.
Demiri po ashtu ka paralajmëruar të gjithë tifozët se nuk do të lejohet hyrja e mjeteve piroteknike dhe as e mjeteve tjera të forta, duke filluar nga çakmakët, derisa flamujt duhet të jenë pa shtiza. Organizatorët po ashtu kanë bërë të ditur se dyert e stadiumit do të hapen në orën 12:00. /Tribuna/Telegrafi/