Telegrafi

Bileta Tiranë- Prishtinë starton me 42 euro

Me këtë rast Drejtori menaxhues i kompanisë, Agron Mustafa, ka pohuar se ky është hapi i parë lehtësues financiar që është krijuar për të gjithë udhëtarët që fluturojnë në një largësi ajrore jo më të gjatë se 200 kilometra nga ANP-ja.

“Ne si aeroport kemi njoftuar kompaninë për vendimin e marrë, i cili ka filluar të zbatohet në praktikë. Veç heqjes së taksës, poashtu kemi krijuar një program stimulativ për kompanitë që operojnë në linja prej 200 kilometra largësi për në ANP dhe ky program është miratuar. Nga ky program, i cili parasheh masa lehtësuese financiare presim që të ketë edhe ulje të mëtutjeshme të biletës për këto linja. Me këto veprimet e fundit të Autoriteve Kosovare janë krijuar kushtet për lirimin e çmimit të biletës në një shumë prej rreth 30 Euro“, tha drejtori menaxhues i ANP, Agron Mustafa.

Zbritja e çmimit të biletës në vlerën e taksës është konfirmuar edhe nga përfaqësuesi i kompanisë së vetme që ka linjë me Aeroportin e Tiranës, Belle Air, Dhimitër Tola.

“Që nga data 3 shkurt kur kemi marrë njoftimin zyrtarë nga ANP-ja, kompania Belle Air ka marrë masë të menjëhershme për të pasqyruar zbritjen e taksës nga çmimi aktual i biletës. Shpresojmë dhe kemi besimin që edhe qeveria shqiptare do të marrë të njëjtën masë në mënyrë që çmimi i biletës Prishtinë –Tiranë, të bjerë në nivel të përballueshëm“.

Sipas tij janë dy lloj taksash që duhet ti heq qeveria shqiptare, taksa e kalimit të kufirit e cila ka hyrë në fuqi dhe ka filluar të zbatohet nga janari i këtij viti prej 10 eurove, dhe taksa aeroportuale prej 14.5 euro.

“Aktualisht bileta njëdrejtimëshe Prishtinë – Tiranë starton me 42 euro. Jemi duke shpresuar edhe pala shqiptare të përgjigjet njëlloj sikurse qeveria dhe ANP-ja me heqjen e taksave në mënyrë që bileta midis dy kryeqyteteve shqiptare do të kete një vlerë mjaft të favorshme për të gjitha shtresat e popullatës”.

Heqja e taksës filloi të zbatohet, pasi të premten e kaluar me datë 30 Janar, ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, nënshkroi udhëzimin e dytë administrativ për heqjen e taksës prej 2 eurove, taksë e cila grumbullohet nga udhëtarët me dedikim Autoritetin e Aviacionit Civil të Kosovës. /Telegrafi/