Site icon Telegrafi

Bildt e Serwer tregojnë pse Rusia (nuk) do të ishte për “korrigjimin e kufijve” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Në një analizë të fundit, mediumi prestigjioz “Financial Times” ka trajtuar çështjen e rrezikut dhe përfitimeve të idesë së presidentit të Serbisë dhe atij të Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Hashim Thaçi, për një “korrigjim të mundshëm të kufijve” dhe “shkëmbimin e territoreve”.

Në artikullin e saj, mediumi në fjalë shkruan se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi, po lëvizin drejt një marrëveshje të rëndësishme për normalizimin e marrëdhënieve, duke përfshirë këtu çështjen e kufijve dhe një shkëmbim të territoreve.

Më tej në artikullin në fjalë thuhet se një marrëveshje e tillë mund t’i ndihmojë Serbisë në rrugën e saj për t’iu bashkuar BE-së dhe Kosovës për t’u bërë kandidate formale për anëtarësim.

“Kosova duhet të nxisë pesë vendet anëtare të BE-së që të njohin pavarësinë e saj dhe të inkurajojë vendet e tjera në nivel global që të bëjnë të njëjtën gjë, duke bërë të mundur që Kosova të bashkohet me institucionet kyçe ndërkombëtare si OKB-ja dhe INTERPOL-i”, ka shkruar Financial Times.

Lidhur me këtë temë të trajtuar nga Financial Times dhe të diskutuar shumë së fundmi, ka ardhur edhe një reagim i fundit i ish-diplomatit suedez Carl Bildt, i cili gjatë viteve 1990 merrej me zhvillimet politike dhe konfliktet në Ballkan.

Lexo po ashtu "Financial Times": Thaçi e Vuçiq drejt marrëveshjes për shkëmbim territoresh

“…Rusia ka të ngjarë të jetë në favor të korrigjimeve kufitare. Është një nga të preferuarat e tyre këto ditë”, ka shkruar Bildt në Twitter.

Përveç tij, ka reaguar edhe analisti dhe profesori në Universitetin “Johns Hopkins”, Daniel Server.

Ai ka thënë ndër tjerash se ka mungesë argumentesh se pse Rusia do të lejonte anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Kjo sipas tij do të ishte “mospërfillje ndaj detajeve” si Gazivoda, A1, si dhe siguria e serbëve në jug të Ibrit.

“Dhe realiteti politik: shkëmbimi nuk do të kalojë në parlament, në asnjërin vend”, ka shkruar ndër tjerash Server.

Ndërsa ish-zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe koordinatori nacional për sfidat e mijëvjeçarit në Kosovë (MCC), Petrit Selimi ka shkruar se Rusia dëshiron të pasqyrojë formulën e “dakordimit reciprok”.

“Unë besoj se ata mendojnë se mund të arrijnë një marrëveshje me Ukrainën për Krimenë në një të ardhme të largët. Një pazar i llojit të madh…”, ka shkruar Selimi. /Telegrafi/

Exit mobile version