Telegrafi

Bildt bisedon me Ricen për Kosovën

"Nuk na duhet një përplasje e madhe, por aterim i butë", theksoi Bildt. Ai tha se me sekretaren Rice ka biseduar edhe për situatën në Bosnje, Lindjen e Mesme, Irakun dhe Iranin.

Ndërkaq presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të mërkurën ka hedhur poshtë propozimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian në Treshen ndërmjetësuese, Wolfgang Ischinger, për zgjidhjen neutrale të statusit të Kosovës. "Qëndrimi ynë është i njohur. Ne nuk pranojmë asnjë zgjidhje tjetër përveç pavarësisë së Kosovës", tha Sejdiu.

Në Beograd, ministri për Kosovën në Qeverinë serbe, Sllobodan Samarxhiq, tha se Kosova nuk mund të ketë status neutral në raport me Serbinë, sepse ajo është pjesë e pandarë dhe e patjetërsueshme e saj. Samarxhiq tha se ideja e diplomatit gjerman "bazohet në marrëveshjen mes dy Gjermanive të vitit 1972 dhe se kjo ide është në kundërshtim me rezolutën 1244".

Ischinger ditë më parë tha se, Treshja ndërmjetësuese përgatitet t’u paraqesë palëve propozimin e ri të quajtur "status neutral", që synon normalizimin e marrëdhënieve të Prishtinës dhe Beogradit, pavarësisht se çfarë mund të vendoset sot ose nesër për statusin e Kosovës.

Samarxhiq gjithashtu tha se në takimin e radhës në Bruksel, "Serbia do të arsyetojë se si sot në botë autonomitë substanciale funksionojnë në mënyrë shumë efikase".
Ndërkaq ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, gjatë takimit me homologun e tij slloven, Dimitrij Rupel, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare duhet t’u lejojë Serbisë dhe Kosovës që vetë të arrijnë një zgjidhje për statusin e Kosovës, pa caktuar ndonjë datë për përfundimin e negociatave. /REL/