Site icon Telegrafi

Bilanci i përmbytjeve në Shqipëri

Mbi 3,300 shtëpi nën ujë, 40 biznese, 10,200 hektarë tokë të përmbytyra dhe afro 5,800 hektarë të tjera me prani uji, kryesisht në Fier e Vlorë, është bilanci i fundit i raportuar nga Komiteti i Emergjencave Civile.

Qarqet më të prekura janë Fieri dhe Vlora. Numri i shkollave të dëmtuara është 56. Ndërkohë, 28 ura në të gjithë vendin kanë dalë tërësisht jashtë funksionit.

Për t’i bërë ballë kësaj situate, në terren janë 6,400 forca të ushtrisë, emergjencave civile dhe të tjera, si dhe janë përfshirë dhe rreth 1089 mjete.

Këto forca kanë evakuuar 596 familje dhe kanë shpëtuar 1,552 persona.

Ndërkohë, ka filluar edhe mbështetja me ndihma ndërkombëtare, për të cilat po diskutohet me Ministrinë e Mbrojtjes për të ndërtuar në nivel qendror një pikë logjistike pranimi dhe shpërndarjeje. Deri më sot ndihmat shpërndahen në nivel lokal, duke u menaxhuar nga vetë bashkitë.

Situata është e stabilizuar në porte dhe në Aeroportin e Rinasit dhe rrugët nacionale janë të kalueshme, kurse në hidrocenralet e Kaskadës së Drinit niveli i prurjeve ka rënë krahasuar me një ditë më parë.

Fierza, hidrocentrali më i madh i vendit ka kapur nivelin mbi 274 metra, ndërsa në hidrocentralin e Komanit kuota është mbi 172 metra. Vau i Dejës gjendet në kuotën mbi 75. Aktualisht nuk ka shkarkime nga asnjë prej hidrocentraleve. /Top Channel/

Exit mobile version