Site icon Telegrafi

Bilanci i përgjithshëm në Shqipëri: Mbi pesëmijë raste dhe 150 viktima me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë raportoi të mërkurën 2 viktima dhe 108 raste të tjera me COVID-19 duke e rënduar më tej bilancin e pandemisë në vendin tonë me 5,105 raste dhe 150 humbje jete.

Në një konferencë për shtyp, Mirela Cami, drejtoreshë e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha se viktimat e radhës ishin dy gra 68 dhe 60 vjeçe nga Shijaku dhe Tirana.

Prej 1 korrikut në Shqipëri kanë vdekur 85 persona nga COVID-19 (56% e totalit prej 150 viktimash), me një mesatare prej 3 vdekjesh çdo ditë. Vetëm më 9 korrik nuk u raportuan viktima, ndërsa në total ka pasur 2,443 raste të reja (47% e totalit prej 5,105 rastesh) me mesatare 84 të infektuar të tjerë çdo ditë.

Situata me të shtruarit në spitale mbetet shqetësuese. Në Spitalin Infektiv në QSUT dhe Spitalin Shefqet Ndroqi po trajtohen 125 persona (+2 nga të martën), 17 (-5 nga të martën) prej tyre janë në terapi intensive dhe 7 janë me frymëmarrje të drejtuar.

Në 24 orët e fundit autoritetet thanë se kishin kryer 502 testime, prej së cilave rezultuan pozitiv 108 persona (pozitiviteti 21%) me shpërndarje kryesisht nga Tirana (52 persona), Kruja (12 persona) dhe Kukësi (7 persona).

Po gjatë kësaj periudhe kohore, autoritetet deklaruan të shëruar 41 qytetarë, duke e çuar totalin e atyre që e kanë mposhtur virusin në 2,830 raste.

Aktualisht mbeten 2,125 persona ende mbartës të virusit, ose siç thuhet në zhargonin mjekësor “raste aktive”. Pjesa kryesore janë në Tiranë (1,146) e Durrës (255), ndërsa shqetësuese është situata edhe në Vlorë (105), Lezhë (83), Fier (76) dhe Korçë (69).

Prej nisjes së pandemisë autoritet kanë kryer 35,986 teste me tamponë dhe 4,206 teste serologjike.

Shqipëria mbetet vendi që kryen më pak teste në rajon me një statistikë prej 12,850 testesh për çdo 1 milionë banorë – 8 herë më pak se Serbia dhe 4 herë më pak se Maqedonia e Veriut.

Exit mobile version