Kryeministri Sali Berisha anuloi të gjitha festimet që priteshin sot për liberalizimin e vizave duke shpallur të martën ditë zie.
Aksidenti ndodhi rreth orës 20.00’, të së hënës, në rrugën nacionale Fier-Tepelenë, në fshatin Ziaj, të Komunës Fratar kur autobusi i linjës Tiranë –Athinë, me targë INB 9900, me drejtues mjeti shtetasin grek Tomas Tsogas, si pasojë e humbjes së kontrollit mbi mjetin, ka rënë në një distancë rreth 100 metra.
Për menaxhimin e këtij aksidenti të rëndë dhe dhënien e ndihmës personave të dëmtuar, menjëherë janë angazhuar strukturat e Drejtorive të Policisë së Qarqeve Gjirokastër dhe Fier, si dhe të Komisariateve të Policisë Fier, Tepelenë dhe Ballsh.
Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar gjithashtu dhe rreth 100 forca të FNSH, si dhe forca të Repartit Special RENEA. Po ashtu janë angazhuar shërbimi zjarrfikës, si dhe ai Spitalor i rretheve Fier dhe Tepelenë.
Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë është ngritur një grup pune, i cili po koordinon gjithë veprimet e shërbimeve të policisë në vendngjarje. Ndërkohë grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë, në përfundim të veprimeve të kryera, do të bëjë dhe zbardhjen përfundimtare të shkakut dhe të rrethanave të këtij aksidenti. /Telegrafi/