Bilalli kështu ka kthyer këtë trofe pas një viti, pasi që në vitin paraprak 2012 fitues i tij ishte bullgari Panteev.
Boksieri shqiptar ka pasur një paraqitje fantastike përballë maqedonasit Bojan Ristevski, të cilin e mposhti pas tre raundeve luftarake të zhvilluara.
Bilalli pati përkrahjen e më shumë se 2000 mijë shikuesve në palestrën “Bashkim Selishta-Petriti” në Gjilan, ku edhe janë zhvilluar meçet finale. Boksieri nga Gjilani, Liridon Zeqiri, fitues i këtij turneu para dy viteve kësaj radhe u desh të kënaqet vetëm me epitetin e boksierit më fair-play, kurse çmimi si tekniku më i mirë i takoi malazezit Marko Radonjiç.
Kryetari i Federatës së Boksit të Kosovës, Ramadan Selimi, është ndarë i kënaqur me kualitetin dhe organizimin e turneut.
“Nuk kemi gabuar që finalen e kemi caktuar të mbahet në Gjilan. Ka qenë një organizim i shkëlqyeshëm dhe një turne mjaft cilësor”.
“Po dëshmohet se boksi është ambasadori më i mirë i shtetit të Kosovës”, tha Selimi.
Meçi më luftarak u shpall ai ndërmjet Alban Bermetës nga Shqipëria dhe Aljash Venko nga Sllovenia, të cilin pas shumë goditjeve të shpërndara e fitoi boksieri shqiptar. Në ballafaqimet tjera Veliçkoviq i Malit të Zi u dorëzua përballë Merkohasanjt të Shqipërisë, sikurse edhe Gashi në ballafaqim me Shytanin e Shqipërisë, derisa kosovari Gashi ishte më i mirë sesa Kaprelli i Shqipërisë.
Bozhoviq i Malit të Zi ishte më i mirë se Çekini i Shqipërisë, kurse boshnjaku i Bosnjës dhe Hercegovinës u dorëzua përballë Xhoxhajt të Kosovës.
Kjo është hera e parë që ky turne tradicional mbahet si pjesë e kalendarit zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Boksit Amator (AIBA), që prej se FboxK-ja është bërë anëtare e këtij asociacioni me të drejta të kufizuara në fillim të këtij viti. /Zëri/Telegrafi/