Site icon Telegrafi

Bilall Sherifi e quan Lutfi Hazirin kumbar të gënjeshtrës publike

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e ka quajtur kumbarë të gënjeshtrës publike nënkryetarin e LDK-së, Lutfi Hazirin.

Sherifi në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se Haziri ka gënjyer publikun duke thënë se PAN-i ka qenë kumbar i Gjykatës Speciale.

Sipas tij si mundi t’i besohet të udhëheq me vendin dikujt i cili gënjen, pasi që siç ka shkruar Sherifi se kur është negociuar dhe votuar Gjykata Speciale vendi është qeverisur nga koalicioni PDK-LDK.

Sherifi madje ka shpërndar një lajm të Telegrafit, ku tregohet se cilët deputetë kanë votuar Gjykatën Speciale.

Postimi i plotë:

“Lutfi Haziri- Kumbarë i gënjeshtrës publike!

Lutfi Haziri, nënkryetari aktual dhe njëri ndër pretendentët e përfolur nga mediet si kandidat për kryetar të LDK-së, në paraqitjen telefonike në TV Klan për Infomagazinë, në pikë të ditës gënjeu publikun, duke thënë se PAN-i ka qenë “Kumbar” i Gjykatës Speciale!

Si mund t’i besohet të udhëheqë me vendin dikujt që edhe për të vërtetat shumë lehtë të verifikueshme, (me vetëm një klik në google) nuk ngurron të provojë të mashtrojë publikun.

E vërteta është krejt ndryshe. Të gjithë e dijnë se në kohën kur është negociuar dhe votuar Gjykata Speciale, vendi është qeverisur nga koalicioni PDK-LDK, kryeministër i së cilës ka qenë Isa Mustafa, kryetari aktual i Lutfi Hazirit, mbase edhe kryetari i ardhshëm i tij. Këtë fakt e din edhe Lutfi Haziri, por i pëlqen të gënjejë opinionin publik. Lutfi Haziri-Kumbari i gënjeshtrës publike duhet ta dijë se rrena i ka këmbët e shkurtëra dhe në kohën e internetit e vërteta të përplaset në fytyrë sa çel e mshel sytë.

Mjafton t’i hidhet një sy listës së deputetëve që kanë votuar dhe do të shihni se NISMA jo vetëm që nuk votuar PËR, por përkundrazi ka qenë kundër kalimit në Kuvend të kësaj gjykate!”, ka shkruar Sherifi. /Telegrafi/

Exit mobile version