Të mërkurën në mbrëmje (10 tetor) është zhvilluar aktiviteti Knight Riders- Ta ndriçojmë Prishtinën.
Ky aktivitet është organizuar nga grupi i çiklistëve dhe grupi i motoristëve, të cilët kanë shëtitur në rrugët kryesore të kryeqytetit.
Të gjithë çiklistët që kanë marrë pjesë, ishin të pajisur me drita, me qëllim të ndriçimit të Prishtinës.
Arlind Demaj e përdorë biçikletën për të udhëtuar pothuajse në çdo vend.
“Kam qenë i vogël dhe kam pasur biçikletën afër gjithmonë. Kur u rrita pakëz, i merrja gjyshit biçikletën edhe pse ishte ajo e madhe për mua. Gjyshi kishte frikë mos unë rrëzohesha, për mua ishte diçka interesante. Sot edhe unë edhe bashkëshortja e përdorim biçikletën për nevoja personale apo të biznesit. Biçikleta tashmë është pjesë e jona”, thotë Arlind Demaj për RTV Dukagjinin.
Iniciative e Arlindit bashkë me disa të tjerë ndriçoi Prishtinën mbrëmjen e së mërkurës.
“Aktiviteti i datës 10 tetor, ka qenë i organizuar nga stafi i “Bike Friendly Caffe”. Kanë qenë të involvuara edhe grupe të tjera të biçikletave. Është një aktivitet që tashmë është bërë tradicional, por ai i datës 10 tetor ka qenë më i organizuar dhe më madhështor”.
Ngjarjes kësaj radhe i është bashkangjitur edhe grupi i motoristëve “Free Wolves Kosova”.
Çdo mjet i transportit me do rrota, në Kosovë është i rrezikuar për shkak të mungesës së shtigjeve të posaçme për këto mjete.
“Edhe vitin e kaluar ka pasur aksidente fatale nga moskujdesi i shoferëve ndaj vozitësve me dy rrota. Vetëm sivjet janë shkaktuar së paku katër aksidente fatale ndaj vozitësve me dy rrota”, thotë Arben Qaka nga “Free Wolves Kosova”, përcjell Telegrafi.
Pasioni i madh i çiklistit Demaj për këtë sport, e ka shtyrë atë të hap një lokal ku do të takohen këta sportistë.
“Bike Friendly Caffe” më shumë është lokacion për vendtakimin e çiklistëve, të cilët shtjellojnë tema të ndryshme rreth biçikletave, çofshin profesionale apo jo”, deklaroi ndër të tjera Arlind Demaj./Telegrafi/