Telegrafi

BIK-u reagon ndaj deklaratave të Myftiut të Beogradit: Kosova nuk ka qenë djep i Serbisë, populli i saj kurrë nuk u pajtua me okupimin serb

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka reaguar ndaj deklaratave të Myftiut të Beogradit, Jusufsphiq, i cili ka theksuar se Kosova është djep i Serbisë.

Kryesia e BIK-ut ka thënë se deklaratat e tilla për besimtarët muslimanë në Kosovë dhe në Luginë të Preshevës janë treguesi më i mirë për politizimin e fesë për interesa të ulëta dhe meskine të një njeriu që sipas tyre, e quan veten myfti.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të BIK-ut:

“Politika serbe, siç dihet, ka qenë antishqiptare, antiboshnjake e antimyslimane, përse më së miri dëshmuan luftërat e gjenocidi që ka bërë Serbia e Millosheviqit gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në Kosovë e Bosnjë, përse është gjykuar nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte.

I bëjmë me dije të ashtuquajturit Myfti të Beogradit se Kosova kurrë s’ka qenë pjesë e Serbisë e aq më pak djep i Serbisë. Ç’është e drejta, Kosova një kohë jo të shkurtë ka qenë e okupuar nga Serbia, por populli dhe paria e Kosovës kurrë nuk u pajtuan me okupimin serb dhe në vazhdimësi janë angazhuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Po ashtu i themi të ashtuquajtur Myfti të Beogradit, të bashkërenditurve me të dhe mentorëve të tij se Kosova tash e 19 vjet është e lirë, ndërsa tash e një dekadë shtet i pavarur e demokratik, i pranuar ndërkombëtarisht nga mbi 116 vende, andaj angazhimi juaj për të “ruajtur” Kosovën në kuadër të Serbisë i përket së kaluarës, të cilën ne tashmë e kemi lënë prapa.

‘Myftiu’ i Beogradit edhe mund t’ia bëjë ndonjë argat politikës zyrtare serbe siç edhe e thotë në rastin e Gambias, por një duhet ta kuptojë njëherë e përgjithmonë se pavarësia dhe shtetësia e Kosovës janë arritje që nuk bëjnë kurrë prapakthim.

Po ashtu i bëjmë me dije se Kosova ka institucionet e saj fetare, të organizuara në kuadër të Bashkësisë Islame te Kosovës e që kujdesen për besimtarët e saj, andaj Spahiqi s’ka pse të brengoset asgjë për myslimanët e Kosovës.

Deklaratat e Spahiqit nuk janë qëndrime të besimtarëve të Sanxhakut e assesi të Kosovës Lindore (Luginës së Preshevës), madje jemi të bindur që nuk janë as qëndrime të atyre myslimanëve që jetojnë në Beograd.

‘Myftiu’ Jusufspasiq është myfti i politikës zyrtare serbe dhe paraqet vetëm qëndrimet e mentorëve të tij e assesi të besimtarëve myslimanë”.

Ndryshe, nuk duam të na copëtohet vendi dhe nuk është e drejtë t’i ndahet djepi këtij vendi, thotë Myftiu i Beogradit, Mustafa Jusufspahiq, duke e paraqitur qëndrimin e Bashkësisë Islame të Serbisë lidhur me këtë çështje.

“Ne nuk e dëshirojmë të jemi një vend i copëtuar dhe kjo nuk është e drejtë për të ndarë [Kosovën] nga djepi i këtij vendi”, tha ai, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi. /Telegrafi/