Site icon Telegrafi

BIK-u formon komision hetues për mishin e prishur të kurbanit

Bashkësia Islame e Kosovës sot ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën ka shqyrtuar gjendjen e krijuar pas prishjes së një sasie të mishit të kurbanit të therur në thertoren në Istog.

Në njoftimin për media thuhet se kryesia e BIK pasi dëgjoi raportin e Komisionit të Kurbanit për ecurinë e aksionit të therjes së kurbaneve gjatë ditëve të Kurban Bajramit, pastaj për hapat që kanë marrë pas shfaqjes së dyshimit për cilësinë e mishit, mori vendim që të formojë një komision hetues, i cili do të zbardh rrethanat dhe shkaqet që çuan në prishjen e mishit.

Lexo po ashtu Agjencia e Ushqimit asgjëson 21 tonelata mish në depon e Bashkësisë Islame

“Komisioni ka për detyrë që në afat prej një muaji të shqyrtoj dhe analizoj të gjitha rrethanat dhe në bazë të të gjeturave të përgatit raport, në bazë të së cilit Kryesia do të ndërmarrë masat e duhura. Kryesia e BIK në mbledhjen e sotme edhe njëherë shprehu përkushtimin e saj në realizimin e plotë të amaneteve që na janë besuar nga besimtarët, ndërsa për këtë që ka ndodhur kësaj radhe, Kryesia e BIK kërkon ndjesë nga besimtarët tanë të devotshëm, të cilëve u rikujtojmë edhe njëherë se nijeti i tyre për kurban është realizuar plotësisht. Kryesia e BIK i kërkon ndjesë e falje edhe kategorive sociale si përfituese të drejtpërdrejta të mishit të kurbanit si palë e dëmtuar. Në të ardhmen do të merren të gjitha masat e duhura që gjërat e tilla të mos na ndodhin”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera BIK njofton opinionin edhe njëherë se ka arritur një kontingjent i mishit të kurbanit që është therur në Hungari dhe se i njëjti do t’u shpërndahet nevojtarëve në ditët në vijim. Mishi i ardhur nga Hungaria është i sigurt dhe i cilësisë shumë të mirë./Telegrafi/

Exit mobile version