Ishte një nga dëshirat e para të Vincenzo Montella për ta transferuar në Milano, por prej një muaji transferimi i Lucas Biglia ra në qetësi dhe Milani siguroi shtatë përforcime të tjera.
Megjithatë, kuqezinjtë ende nuk e kanë mbyllur tregun e transferimeve, madje janë rikthyer sërish te argjentinasi dhe tashmë janë më pranë se kurrë më parë për ta transferuar nga Lazio.
Lojtari nuk ka marrë pjesë në vizitat rutinë mjekësore që i kryejnë lojtarët në fillim të sezonit para nisjes së stërvitjes dhe kjo është parë nga mediat italiane si një shenjë se mesfushori tashmë duket i vendosur për të veshur bluzën kuqezi sezonin e ri.
Megjithatë ende nuk ka një datë zyrtare për një takim mes palëve, por kjo mund të ndodhë të dielën ose të hënën.
Në pritje të marrëveshjes më Lazion për Biglian, Milani njëkohësisht po punon edhe për shitjet, transmeton TCh.
Niang duket se do të kalojë në Torino, ndërsa Andrea Bertolacci është drejt një rikthimi te Genoa. Mattia De Sciglio mbetet një emër i rëndësishëm për Juventusin, por ende nuk ka diçka konkrete. Carlos Bacca pritet të zyrtarizohet te Marseille.
Ndërkohë, në “fletoren” e Mirabellit dhe Fassones janë edhe dy emra. Kalinic, kontaktet për të me Fiorentinën vazhdojnë, por deri tani pa sukses. Ndërsa ëndrra e kuqezinjve këtë verë është Pierre-Emerick Aubameyang, sulmuesi që do të ndryshonte perspektivat e Milanit “kinez”.