Site icon Telegrafi

Big Brother kategorizohet në kanalet për të rritur, do t’iu kërkohet kod për ta shikuar

Big Brother

Emisionet “Reality show” do të mund të shikohen në platformat televizive vetëm nëse e dini kodin sikurse ndodh me filmat për të rritur.

Ky vendim është marrë sot nga Komisioni i Pavarur i Mediave ku është miratuar ndryshimi i Rregullores për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe të miturve në shërbimet mediale audio dhe audiovizuele, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i Bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti ka thënë se është bërë vetëm plotësim ndryshimi i rregullores me qëllim të mbrohen fëmijët nga përmbajtjet që ndikojnë negativisht në shëndetin e tyre mendor e moral.

Foto: Betimi për Drejtësi

Ai ka thënë se tashmë edhe bërë përkufizimi i qartë edhe se çka është dhuna si dhe janë bërë kategorizimi se cilat programe janë të përshtatshme për fëmijë e cilat jo.

“Mbrojtja e fëmijëve nga zhanret e reja televizive të emëruara si “reality show”. Mund të ndikojnë në gjuhën e tyre, sjelljet e tyre. Të gjitha programet “reality show” duhet të jenë të koduara”, ka thënë Mehmeti, në mbledhjen e 12-të të KPM-së.

Ai ka thënë se besojnë se programet e tilla mund të minimizojnë çfarëdo ndikimi negativisht që mund të kenë te fëmijët.

Anëtari i KPM-së, Besnik Berisha ka thënë se rregullorja është shume e avancuar dhe do t’i mbrojë fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme.

“Të zbatohen në përpikëmëri që të mbrohet interesi publik”, ka kërkuar Berisha./BetimipërDrejtësi

Exit mobile version