Shitjet me pakicë në të 19 vendet e rajonit të monedhës së përbashkët europiane ranë me 0.2 për qind në terma mujorë gjatë muajit Shtator, raporton zyra e statistikave të Bashkimit Europian.
Ky është muaji i dytë me radhë në rënie dhe trendi negativ nxitet kryesisht nga një rënie e shitjeve për produktet jo-ushqimore. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ndërkohë, shitjet me pakicë regjistrohen në rritje me 1.1 për qind.
Pavarësisht shifrave zhgënjyese, të dhënat e Eurostat rezultojnë mbi pritshmëritë. Analistët dhe tregjet prisnin një rënie të shitjeve me pakicë në Erozonë me 0.3 për qind gjatë Shtatorit në terma mujorë.
Eurostat rishikoi gjithashtu edhe shifrën e muajit gusht, në territor negativ, nga një rënie me 0.1 për qind në një rënie me 0.2 për qind. Por ndërkohë që shitjet me pakicë zhgënjejnë, një indikator tjetër i publikuar gjatë së Hënës gjeneron shpresë.
Besimi i investitorëve në Eurozonë është rritur ndjeshëm gjatë Nëntorit, tregon një anketë e fundit, duke prekur nivelin më të lartë gjatë vitit. /Telegrafi/