Telegrafi

Bien parashimet për rënie ekonomike në SHBA

Në raportin e sivjemë për ekonominë amerikane, të shpallur dje, theksohet se SHBA-të sivjet do të shënojnë rënie të Bruto Prodhimit Vendor prej 2.5 për qind, ndërsa në muajin prill parashikimet ishin për rënie prej 2.8 për qind.

Ekonomia e SHBA-ve në vitin 2010 do të duhej të shënonte rritje prej 0.75 për qind, ndërsa në prill u parashikua se ekonomia amerikane do të stagnojë.

Në raportin e FMN-së theksohet se parashikimet janë "të pasigurta" meqë ekzistojnë shumë rreziqe, si kriza në tregun e patundshmërive, gjegjësisht konfiskimi i shtëpive dhe rënia e çmimeve.

FMN-ja thekson se edhe gjendja e tregjeve ndërkombëtare do të ndikojë mbi zhvillimin e situatës në SHBA.

FMN-ja vlerëson se plani amerikan për nxitje të ekonomisë është i mirë dhe se do ta nxisë kërkesën, ndërsa është vlerësuar se masat për të ndihmuar tregun financiar pozitivisht ndikojnë në kushtet e financimit.