Site icon Telegrafi

Bien parashikimet e rritjes ekonomike në Britani

Konfederata e Industrisë Britanike uli parashikimet për rritjen ekonomike për vitin e ardhshëm. Organizata shton se kërkesa e brendshme nuk do të mjaftojë për të përballuar efektet e një ngadalësimi në tregjet në zhvillim.

Parashikimi për 2015-ën u reduktua në 2.4 për qind dhe për 2016-ën në 2.6 për qind, që është ende pak më mirë se mesatarja e ekonomisë britanike. “Prodhuesit po përballen me kushte të vështira pasi një paund i fortë po paralizon eksportet tona. ” thotë drejtori i përgjithshëm i Konfederatës së industrisë britanike, John Cridland.

Të dhëna të tjera theksuan se shpenzimet konsumatore u rritën me 2.1 për qind gjatë vitit, në terma realë, që është rritja më e shpejtë në tre muaj. Gjatë konferencës vjetore, John Cridland do t’i bëj thirrje qeverisë të rezervojë shpenzimet mbi inovacionet e biznesit nga shkurtimet e buxhetit, dhe të mbrojë sektorin financiar britanik nga rregulloret e tepërta të Bashkimit Europian.

Organizata është fokusuar gjithashtu në mungesën e kualifikimit të punonjësve pasi papunësia në Britani, po bie në nivelet e para-krizës. 15 për qind e vendeve të lira të punës kanë rezultuar të vështira për t’u plotësuar dhe punëdhënësit priten të rrisin pagën bazë me një mesatare prej vetëm 2 për qind në 12 muajt e ardhshëm. /Telegrafi/

Exit mobile version