Telegrafi

Bien me 6 % dërgesat e emigrantëve

Paratë që emigrantët shqiptarë kanë dërguar pranë familjeve të tyre në atdhe kanë pësuar sërish tkurrje, megjithëse ritmet e rënies së tyre nuk janë ato të vërejtura gjatë vitit të kaluar.

Nga të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë rezulton se gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009, dërgesat nga emigrantët arritën vlerën e 188 milionë eurove, duke shënuar një rënie prej 12 milionë euro kundrejt të njëjtës periudhë të një vitit më parë.

“Rreth 188 milionë euro kanë hyrë në formën e dërgesave të emigrantëve. Këto të fundit shënuan një rënie vjetore prej rreth 6 për qind nga vlera prej 200 milionë eurosh e një viti më parë”,- theksohet në “Deklarata për zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë”, publikuar nga Banka Qendrore.

Rënia e dërgesave nga emigrantët ka nisur të ndihet që në fillim të vitit të kaluar, si pasojë e krizës ekonomike botërore, që preku vendet ku ata punonin dhe jetonin.

Për shkak të recensionit global, të parët që u preken nga shkurtimi i vendeve të punës ishin emigrantët dhe kjo ndikoi që ata të sillnin më pak para në atdhe.