Site icon Telegrafi

Bien investimet e jashtme në Maqedoni, shumë pak në qytetet shqiptare

Baza e të dhënave ”Investimet e jashtme nën llupë” tregon se në Maqedoni ka shtatë herë më pak investime të paralajmëruara dhe tre herë më pak punësime të premtuara, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Kjo bazë është përgatitur nga ekipi BIRN për Maqedoni. Hulumtimi ka përfshirë 138 investime të paralajmëruara ose promovuara nga qeveria, në periudhën 2007-2016. 43 investime të paralajmëruara nuk janë realizuar aspak ose kanë dështuar, që është thuajse një e treta e numrit të përgjithshëm.

Gjithsej 26 kompani kanë marrë mbështetje shtetërore, por paratë nuk janë të njohura; vetëm 4 kompani kanë investuar aq sa kanë premtuar, ose më tepër, kurse investimet tjera janë ndjeshëm më të ulëta, ose nuk janë investuar aspak.

Nga 3.79 miliardë euro të paralajmëruara, janë investuar vetëm 579.64 milion euro, ndërkaq nga 62.701 punësime, janë realizuar vetëm 20.246.

Nga shtete që kanë investuar më së shumti, në vendin e parë është Turqia me 23 investime, e pasuar nga Gjermania, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Italia.

Lokacionet ku është investuar më së shumti janë Shkupi me 30 investime, e pasuar nga Bunarxhiku, pastaj Manastiri, Prilepi dhe Shtipi.

Përndryshe, baza e të dhënave është përgatitur në kuadër të Projektit për gazetari hulumtuese dhe bashkëpunim ndërmjet mediave dhe sektorit qytetar, pjesë e Programit të USAID për forcimin e mediave të pavarura në Maqedoni. Të dhënat e plota i gjeni këtu./Telegrafi/

Exit mobile version