Site icon Telegrafi

Bien investimet e huaja, sektori më i prekur ai i patundshmërive

Investimet e Huaja Direkte (IHD) në Kosovë në pesë muajt e parë të vitit 2018 ishin 76 milionë euro, apo 34 për qind më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017.

Rënie të IHD-ve u evidentua te sektori i tregtisë dhe industrisë, ndërsa sektori i shërbimeve financiare, patundshmëritë dhe tek sektori i ndërtimtarisë shënuan rritje.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Kushtrim Ahmeti, ka treguar për Telegrafin se IHD-të në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017 kanë pësuar rënie për 34 për qind.

“Investimet e Huaja Direkte për periudhën janar-maj 2018 janë 76 milionë euro apo 34 për qind më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Sektori që kishte pjesëmarrjen më të lartë në strukturën e IHD-ve, vitin e kaluar ishte sektori i patundshmërive, pasuar nga sektori i shërbimeve financiare, pastaj ai i ndërtimtarisë, etj”, tha Ahmeti.

Sipas BQK-së, vlera e investimeve në patundshmëri në tremujorin e parë të 2018-së ishte 44.2 milionë euro.

“Në vitin 2017, vlera e IHD-ve në patundshmëri ishte 187.3 milionë euro apo 50 për qind të Investimeve të Huaja Direkte. Në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e investimeve në patundshmëri ka qenë 44.2 milionë euro”, ka bërë të ditur zëdhënësi Kushtrim Ahmeti.

“Kapitali dhe fondi i investimeve në aksione, që përbën rreth 91.9 për qind të gjithsej IHD-ve, shënoi vlerën prej 264.5 milionë euro që është për 44.9 për qind më shumë krahasuar me vitin paraprak. IHD-të në formë të instrumenteve të borxhit shënuan vlerën prej 23.2 milionë euro, apo 37.9 për qind më pak krahasuar me vitin paraprak”, thuhet në raportin vjetor të BQK-së, shkruan Telegrafi.

Në vitin 2017, vlera e IHD-ve ishte 287.8 milionë euro apo 30.8 për qind më shumë se viti 2016. /Telegrafi/

Exit mobile version