Site icon Telegrafi

Bien çmimet e ushqimeve në gjithë botën

Çmimet globale të ushqimeve ranë në dhjetor, si rezultat i uljeve të mëdha të vajrave bimore dhe produktet e qumështit, sipas Indeksit të fundit të çmimeve të Ushqimit të publikuar sot nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara.

Sipas një komunikate të zyrës rajonale e FAO për Evropën dhe Azinë Qendrore, indeksi, një masë e ndryshimit mujor në çmimet ndërkombëtare të një shporte të mallrave ushqimore, shënoi 169.8 pikë në dhjetor 2017, me një ulje 3.3 për qind nga nëntori.

“Pavarësisht ndryshimit të fundvitit, Indeksi i Çmimeve të Ushqimit të FAO-s mesatarisht ishte 174.6 pikë në vitin 2017, duke u ngritur 8.2 për qind nga 2016 dhe duke arritur mesataren më të lartë vjetore që nga viti 2014. Indeksi i çmimeve të qumështit i FAO ra në 9.7 për qind në muajin dhjetor, me furnizime të larta për eksportet dhe kërkesa të pandryshuara në çmimet ndërkombëtare të qumështit pluhur të skremuar dhe të plotë, djathë dhe gjalpë. Megjithatë, nën-indeksi ishte 31.5 për qind më i lartë gjatë gjithë vitit 2017 se një vit më parë. Indeksi i çmimeve të vajit në FAO u ul me 5.6 për qind nga nëntori, pasi çmimet e vajit të palmës ranë si rezultat i rezervave të tejngarkuara në Malajzi dhe Indonezi”.

Kjo, nga ana tjetër, ndikoi kuotimet e vajit të sojës. Gjatë vitit 2017, nën-indeksi ishte 3 për qind më i lartë se viti paraprak. Indeksi i çmimeve të sheqerit të FAO gjithashtu pësoi rënie, duke shënuar një rënie prej 4.1 për qind nga nëntori për shkak të faktorëve sezonalë dhe pritjeve të një suficiti të lartë në vitin në vijim.

Çmimet e sheqerit ishin mesatarisht 11.2 për qind më të ulëta në 2017 se në vitin 2016, kryesisht për shkak të korrjes të mëdha në Brazil, prodhuesi kryesor në botë. Indeksi i çmimeve të drithërave i FAO mbeti tërësisht i qëndrueshëm për muajin e tretë radhazi, me uljen e çmimeve ndërkombëtare të grurit ndërsa ato të misrit dhe orizit u ngritën. Indeksi ishte 3,2 për qind më i lartë gjatë vitit 2017 se në vitin 2016, ndërsa ende është 37 për qind më i ulët se ai i vitit 2011.

Indeksi i çmimeve të mishit të FAO ra pak në dhjetor, pas presionit që i bënë furnizimet e larta me mish gjedhi çmimeve ndërkombëtare. Për vitin, nën-indeksi regjistroi një rritje prej 9 për qind nga niveli i 2016-ës. /Telegrafi/

Exit mobile version