Site icon Telegrafi

Bien çmimet e prodhimeve bujqësore

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar indeksin e çmimeve të inputeve dhe çmimet në bujqësi për tre mujorin e parë të këtij viti, sipas të cilit ka rënie për -3.7 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

ASK sipas një komunikate thotë se indeksi i çmimeve në tremujorin e parë të vitit 2015 për inputin 1 ka rënie për – 6.6 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Ndërsa, indeksi i çmimeve për Inputin 2 ka rritje për 1.0 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014. Kurse, indeksi i inputit të përgjithshëm ka rënie për -3.7 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

“Publikimi bazohet në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, barnatoret veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) nga ASK.
Produktet që e përbëjnë bazën për indeksin e çmimit të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: mallrat dhe shërbimet, aktualisht të konsumuara në bujqësi dhe mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi. Brenda grupit të mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji; vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera”, thuhet në komunikatë.

Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, sipas ASK-së, çmimet grumbullohen për makineri dhe pajisje të tjera, ndërtesat e fermave, punët e tjera përveç përmirësimit të tokës, ndërtesat e tjera, struktura e tyre dhe të tjera. /Telegrafi/

Exit mobile version