Telegrafi

Bien akuzat kundër Mason Greenwood, sulmuesi i Man Utd shpallet i pafajshëm

Sulmuesi i Manchester United, Mason Greenwood, ka parë që akuzat për përdhunim dhe sulm kundër tij kanë rënë poshtë, rreth një vit pasi ai ishte arrestuar fillimisht.

Greenëood u arrestua në janar të vitit të kaluar dhe u pezullua nga klubi anglez menjëherë pas kësaj, përpara se të lirohej më vonë me kusht, dhe që atëherë nuk ka stërvitur apo luajtur për Djajtë e Kuq.

Tetorin e kaluar, sulmuesi anglez u arrestua për herë të dytë, pasi kishte shkelur kushtet e lirimit me kusht dhe ai do të dilte në gjyq në nëntor.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet rreth Mason Greenwood

Megjithatë, pasditen e sotme (e enjte) u konfirmua se 21-vjeçari nuk do të përballet më me asnjë akuzë.

“Duke pasur parasysh mbulimin e konsiderueshëm mediatik të këtij rasti, është e drejtë që të ndajmë lajmin se 21-vjeçari, i cili ishte arrestuar dhe i akuzuar në lidhje me një hetim të hapur në janar 2022, nuk përballet më me procedim penal në lidhje me këtë”, ka thënë kryeinspektorja Michaela Kerr, Shefe i Mbrojtjes Publike të Policisë së Mançesterit.

“Grupi hetimor ka qëndruar në kontakt të rregullt me ​​ekipin ligjor, duke dhënë çdo përditësim të shënimeve, dhe në këtë mënyrë kuptojnë arsyetimin e pushimit të procedimit në këtë fazë dhe se ky vendim nuk është marrë lehtë”.

“Me gjithë interesimin e mediave dhe publikut për këtë rast, ne kemi vendosur të mos komentojmë më në detaje”, mbyllet njoftimi. /Telegrafi/