Suficiti i llogarisë korrente të Eurozonës ra gjatë muajit shkurt, tregojnë të dhënat e Bankës Qendrore Europiane (BQE).
Bilanci i llogarisë korrente, një matës i gjerë i pozitës financiare ndërkombëtare të një ekonomie, tregoi një suficit prej 19 miliardë euro në shkurt, duke rënë nga të dhënat e muajit janar prej 27.5 miliardë euro.
Të dhënat, të ngjashme me muajin e kaluar treguan suficite për mallrat, shërbimet dhe të ardhurat primare, që ishin kompensuar pjesërisht nga një deficit në të ardhurat sekondare. Suficiti në tregtinë e mallrave shënoi 24.6 miliardë dollarë krahasuar me 30.4 miliardë në Janar, ndërsa suficiti në shërbime u rrit në 6.8 miliardë në krahasim me muajin e kaluar.
Të dhënat e Bankës Qendrore Europiane tregojnë se të ardhurat primare ranë në 1.4 miliardë nga 3.2, ndërsa deficiti në të ardhurat sekondare u zgjerua në 13.8 miliardë. Llogaria korrente me bazë vjetore në shkurt, tregoi një suficit me 321.5 miliardë euro apo 3.1 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto të Eurozonës.
Në terma të përshtatur, suficiti i llogarisë korrente u rrit në 11.1 miliardë euro në shkurt nga 8.3 miliardë muajin e kaluar.
Në llogarinë financiare, investimet e portofolit dhe ato direkte të kombinuara shënuan një rritje prej 112 miliardë euro në aktive dhe një rënie me 9 miliardë euro në pasive. /Telegrafi/