Telegrafi

Bie shkëmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Shqipërisë

“Me Shqipërinë në 10 vitet e fundit, vazhdimisht kemi rritje pozitive, i cili kulmin e vet e arriti në vitet 2006- 2008 duke regjistruar vlerën më e lartë diku rreth 140 milion dollarë. Por ritmi, për fat të keq filloi të shënojë rënie. Kjo do të thotë se në vitin 2009 kemi rënie prej 25 për qind, i cili ka vazhduar edhe në 6 muajt e parë të këtij viti”, thotë Biljana, Peeva Gjuriq, përfaqësuese e odës ekonomike të Maqedonisë.

Sipas ekspertëve, çelësi i rritjes së eksportit me shtetet fqinjë, sidomos me Shqipërinë dhe Kosovën, është intensifikimi i investimeve infrastrukturore hekurudhore në rajonet me të cilat Maqedonia kufizohet me këta shtete. Në të kundërtën Qeveria rrezikon të jetë zorrë qorre e investimeve të huaja në rajon.

“Duke qenë shtet me kultura diverse dhe grupe etnike të ndryshme, Maqedonia duhet t’i përkëdhelë këto marrëdhënie që i kanë këto grupe etnike me vendet ëmë, duke e përfshirë edhe pjesën perëndimore me qëllim të forcimit të kompanive që të eksportojnë në këto vende dhe duk mos i kthyer sytë nga Shkupi. Duke mos pasur këto investime në infrastrukturë, ne do të jemi zorra qorre e këtij rajoni dhe do të varemi..këtë suficit tregtar ta krijojmë me vende më pak të zhvilluara siç është Kosova", thotë Visar Ademi, ekspert ekonomik.

Komuniteti i biznesit edhe pse i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm, thotë se ka hapësirë të madhe për të thelluar bashkëpunimin dhe shkëmbimin tregtar mes dy shteteve.

“Unë mendoj se ka bashkëpunim por jo në nivel të duhur. Përndryshe Maqedonia është shumë afër me Shqipërinë dhe ja vlen që të kemi një bashkëpunim më të mirë, mirëpo për të pasur një bashkëpunim të mirë, mendimi im që porti i Durrësit të hyjë në funksion pak më tepër se sa është sot. Aty Shqipëria duhet të investojë që tregtarët nga Maqedonia t’i tërheq porti i Durrësit e jo i Selanikut”, vlerëson Arben Abdyrahmani, pronar i kompanisë Vezë Shari.

Investimi në energjetikë dhe shfrytëzimi i porteve ka zgjuar interesimin e kompanive nga Maqedonia. Ndërsa në vëllimin e import-eksportit mes tyre, bëjnë pjesë produktet për ndërtim, ato agro-industriale, ushqimore, druri, pajisje elektronike, shërbimet e transportit ndërkombëtar, ndërsa vitet e fundit janë shtuar dhe shkëmbimet në turizëm. /Alsat-M/