Site icon Telegrafi

Bie papunësia në Gjermani

Numri i personave të papunë ra me 11 mijë në 2.695 milionë në muajin Maj, tregojnë të dhënat e Agjencisë Federale të Punës në Nuremberg. Parashikimet e ekonomistëve qëndronin për një rënie me 5 mijë njësi. Norma e papunësisë shënoi 6.1 për qind.

Raporti vjen 2 ditë përpara takimit të zyrtarëve të Bankës Qendrore Europiane në Vjenë, ku do të caktohen politikat monetare dhe ku do të vlerësojnë nëse masat e ndërmarra kanë qenë efektive për rimëkëmbjen e ekonomisë së Eurozonës.

Banka pritet t’i mbajë stimujt monetarë të pandryshuar apo në 80 miliardë euro çdo muaj, program që u ndryshua për herë të fundit në takimin e muajit Mars. Norma e interesit për depozitat pritet të qëndrojë gjithashtu e pandryshuar në -0.4 për qind.

Papunësia ra me 8 mijë njësi në Gjermaninë perëndimore dhe me 3 mijë në pjesën lindore, tregon raporti i agjencisë Federale. Vrulli i ekonomisë së parë më të madhe të Eurozonës qëndron i fortë dhe Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me normën më të shpejtë në 2 vite gjatë tremujorit të parë.

Humori i biznesit në Gjermani u rrit në nivelin më të lartë në 5 muaj dhe niveli i çmimeve ndaloi së rëni. Bundesbank parashikon se ekonomia do ta mbajë ritmin e fuqishëm, pavarësisht pritjeve për një ngadalësim të lehtë për tremujorin e dytë. /Telegrafi/

Exit mobile version