Menaxheri i Klinikës Infektive II ose e njohur ndryshe Mjekësia Sportive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Artan Ahmeti, ka bërë të ditur se kjo klinikë është mbyllur, për shkak të rënies së numrit të pacientëve më COVID-19.
Ahmeti, përmes një statusi në Facebook, ka falënderuar të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në ndihmë të pacientëve të hospitalizuar në këtë Klinikë.
Postimi i plotë i Artan Ahmetit:
“Sot Klinika Infektive 2 (Mjekësia Sportive) është mbyllur. Shpresoj se asnjëherë nuk do të hapet për pacientët me sëmundje COVID-19, për çka edhe ishte e destinuar.
Me këtë rast dua të falënderoj të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në ndihmë të pacientëve të hospitalizuar në këtë Klinikë.
Të gjithë këta kanë bërë që kjo Klinikë të bëhet ndër klinikat më të preferuara për hospitalizimin e pacientëve me COVID-19. Kjo për shkak të angazhimit të secilit (mjekë, infermierë, si dhe staf mbështetës) 24h/7 ditë të qëndrojë pranë pacientëve për çdo nevojë dhe kërkesë të tyre.
Veçanërisht dua të falenderoj :
– Z. Lulzim Gashi, Kryeinfermier i Klinikës, i cili nuk ishte veç kryeinfermier i Klinikës, por ai është angazhuar 24/7 për çdo gjë që nevojitej në Klinikë (reanimimin e pacientëve, transportin e pacientëve, rregullimin/montimin e monitorave, shtretërve të pacientëve, etj, etj etj.)
– Dr. Hamza Selmani, Dr. Violeta Kamberi dhe Dr. Luan Keka të cilët vullnetarisht u transferuan nga klinikat e tyre në Klinikën Infektive 2 (Mjekësia Sportive). Me ndihmën e tyre u mundësua përcjellja ditore (folloë up) e pacientëve me analiza dhe ekzaminime të nevojshme. Ky edhe ishte çelësi i suksesit të trajtimit të pacientëve hospitalor.
– Dr. Valbon Krasniqi – drejtor i SHSKUK-së, Dr. Lulzim Emini – udhëheqës i Komitetit të SHSKUK-së për menaxhimin e pandemisë COVID 19 dhe znj. Lirije Beqiri – Drejtoreshë e Infermierisë në SHSKUK-së për mbështetje të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe.
– Të gjithë infermierët që vullnetarisht vazhduan të punojnë në Klinikën Infektive 2 (Mjekësia Sportive) me javë dhe me muaj të tërë edhe pasi e kishin përfunduar ciklin obligativ një mujor.
– Drejtorët e Klinikave: Klinikën Infektive (Dr. Lindita Ajazaj dhe Dr. Izet Sadiku), Klinikën e Pulmologjisë (Dr. Rukije Mehmeti, Dr. Musa Hoxha), Klinika e Anestezionit (Prof. Nehat Baftiu), shefat e MIQ-COVID (Dr. Naim Kuqi dhe Dr. Gazmend Spahiu), për bashkpunimin e shkëlqyer që kemi pasur.
– Drejtorët e të gjitha atyre Klinikave: (Kardiologjisë, Kardiokirurgjisë, Gastroenterologjisë, Endokrinologjisë, Nefrologjisë, Neurologjisë, Alergologjisë, Psikiatrisë, Dermatologjisë, Ortopedisë, ORL, Oftalomologjisë, Kirurgjisë Abdominale, Urologjisë, K. Torakale, K. Vaskulare, K. Plastike, Neurokirurgjisë, Pediatri, Neonatologji, Gjinekologji, Hematologjisë etj.) që dërguan dhjetëra specialistë, specializantë dhe infermierë për të dhënë kontributin e tyre në këtë Njësi.
– Si dhe në fund falenderoj familjen time për mirëkuptimin e tyre gjatë kësaj kohe, ku shumicën më të madhe të kohës nuk isha pranë tyre”, ka shkruar Ahmeti. /Telegrafi/