Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se në muajin qershor ka pasur ulje të përfituesve nga skemat sociale.
Në muajin qershor 2023 nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 21,131 familje me gjithsej 83,363 anëtarë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak (Qershor 2022) që ishin 25,444 familje me gjithsej 100,395 anëtarë, ka një rënie të numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 4,313 ose 17,0%.
Në muajin qershor të vitit 2023, krahasuar me muajin qershor vitit 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (1,7%); skema e pensioneve bazike të moshës (-1,9%); skema e pensioneve kontributpaguese të moshës (-2,5%); skema për pensionet familjare (-8,7%); skema për pensionet e Trepçës (-18,3%).
Rënie më të madhe ka shënuar skema për pensionet invalidore me -20,3%.
Mirëpo sipas të dhënave të ASK-së te disa kategori ka pasur rritje e përfituesve nga skemat e pensioneve, krahasuar me një vit më parë
Në muajin qershor 2023, krahasuar me muajin qershor 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (23.6%).
Rritje të përfituesve ka pasur edhe skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës (11,0%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,1%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,7%); skema e kompensimeve për personat e verbër (2,2%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (1,7%); skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik (0,3%)./Telegrafi/