Site icon Telegrafi

Bie monedha euro

Euro ka vazhduar rënien për ditën e dytë, gjatë sesionit të fundit tregtar të kësaj jave, duke iu drejtuar humbjes më të madhe javore për këtë vit.

Edhe interesat e titujve të borxhit në euro ranë, pasi Banka Qendrore Europiane (BQE)lajmëroi pas përfundimit të takimit për tetorin, se do të zgjasë blerjen e obligacioneve deri në shtator të vitit që vjen.

Investitorët kanë luajtur me perspektivën e divergjencës së politikave monetare mes Shteteve të Bashkuara dhe Europës, ku e para ka nisur ciklin tkurrës në vitin 2015 e pritet ta vazhdojë, ndërsa në Europë do të duhen vite që normat e interesit të rriten.

Valuta europiane preku 1.1835 dollarë përpara lajmërimit të Bankës Qendrore Europiane dhe ra në 1.1650 në të njëjtën ditë, duke vazhduar rënien në 1.1615 për dollarë gjatë sesionit të së premtes. Valuta e përbashkët pritet të rezultojë në rënien më të madhe javore që prej tremujorit të katërt 2016. Interesat e titujve 10-vjeçar të Gjermanisë ranë në 0.43%.

Investitorët u surprizuan nga perspektiva e Bankës Qendrore Europiane, për shkak të të dhënave pozitive për ekonominë e Eurozonës gjatë kohëve të fundit. Ata prisnin që institucioni të përfitonte nga situata për të sjellë një ndryshim më të madh në politikat monetare.

Investitorët kanë monitoruar edhe kandidatët për kryetarin e ri të Rezervës Federale në SHBA, pas mbarimit të mandatit të Janet Yellen në muajin shkurt. /Telegrafi/

Exit mobile version