Telegrafi

Bie makina në lumin Drin, dy kushërinj të humbur

Të afërmit bëjnë me dije se kanë humbur kontaktet me familjarët e tyre, që prej mbrëmjes së 24 dhjetorit, ndërkohë mësohet se ata kishin dalë për të festuar vigjiljen e Krishtlindjes, ndërkohë nga hetimet paraprake policia dyshohet se dy djemtë e xhaxhallarëve Alfonsi dhe Paskualino janë mbytur, raporton BalkanWeb.

Pjesëtarë të familjes Kolndrekaj kanë deklaruar në polici se dy djemtë janë nisur rreth orës 03:00 nga fshati për në qytetin e Shkodrës, dhe më pas kanë humbur çdo lloj kontakti me ta.

Në vendngjarje kanë shkuar dhe palombarët, të cilët po kërkojnë gjetjen e dy kushërinjve nga fshati Stajkë i komunës së Bushatit, të cilët dyshohen të kenë mbetur brenda në makinë. Operacioni i kërkimit dje u ndërpre për shkak të errësirës , ndërkohë që thellësia e lumit Drin vështirëson kërkimin.

Ngjarja dje

Një automjet ka dalë nga rruga nacionale Shkodër- Tiranë dhe ka rënë në ujërat e lumit Drin. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së këtij qarku pohojnë se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në vendin e quajtur "Kthesa e Beltojës".

Mësohet se një makinë tip "Golf 4" me ngjyrë blu, në të cilin udhëtonin Alfons dhe Paskualino Kolndrekaj, përkatësisht 20 dhe 22 vjeç (rezultojnë të humbur) është përplasur me parmakun e urës së Beltojës dhe më pas ka rënë në ujërat e lumit Drin. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila ka nisur kryerjen e hetimeve. /Telegrafi/