Site icon Telegrafi

Bie industria britanike

Prodhimi industrial britanik ka rënë më shumë se parashikimet gjatë muajit Shtator në krahasim me një muaj më parë.

Ndërkohë që pritshmëritë flisnin për një tkurrje me vetëm 0.1 për qind, rënia regjistrohet në 0.2 për qind. Kjo e dhënë pritet të ketë një efekt negativ në normën e rritjes, të parashikuar në 0.5 për qind. Këto të dhëna përforcojnë edhe më shumë mos-ndërhyrjen e bankës së Anglisë të paktën në terma afat-shkurtër. Në krahasim me një vit më parë, prodhimi industrial regjistron një rritje me 1.1 për qind, ndërkohë që prodhimi në manifakturë fiksohet në një tkurrje me 0.6 për qind.

Ekspertët shprehen se do të jetë pikërisht vëllimi i shkëmbimeve tregtare që do të ngadalësojë ritmin e ekonomisë gjatë muajve të fundit të vitit. Eksportet pritet të goditen edhe nga ngadalësimi i ekonomisë globale. Impaktin kryesor pritet ta japë tkurrja e kërkesës nga Kina.

Prodhimi industrial dhe eksportet mbeten hallkat kryesore që çalojnë në ekonominë britanike, pasi indikatorët e tjerë japin një panoramë të shkëlqyer. Me papunësinë në nivele minimale dhe rritjen e qendrueshme të pagave ekonomia britanike ofron një panoramë të kënaqshme. Por, faktorët e jashtëm duket se do të përcaktojnë edhe për disa muaj ecurinë ekonomike. /Telegrafi/

Exit mobile version