Site icon Telegrafi

Bie eksporti i bimëve aromatike në Shqipëri

Sektori i bimëve aromatike dhe mjekësore janë më të prekurit nga kursi i këmbimit.

Xhevit Hysenaj, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve dhe Eksportuesve të Esencave dhe Bimëve Mjekësore të Shqipërisë thotë se gjatë vitit 2023 eksportet e këtyre bimëve kanë rënë me 40%, por nëse qeveria nuk subvencionon drejtpërsëdrejti fermerin situata gjatë këtij viti mund të përkeqësohet.

“Bimët janë të gjitha mbi 99% për eksport, duhet të mbështetet direkt fermeri. Pra të mbështeten industrialistët. Kjo industri do shitet për skrap nëse nuk do ketë lëndë të parë. Jemi të ndikuar sepse jemi në konkurrencë me rajonin.”

Sipas Hysenaj humbjet në këtë sektor llogariten rreth 25% për shkak të kursit të këmbimit të euros dhe dollarit, dhe e vetmja rrugë është rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Ka dy alternativa, rritja e çmimit në tregjet botërore që është shumë e vështirë ose ulja e çmimit të blerjes te fermerët. Por kjo e fundit nuk ka leverdi se fermeri me ato para jetojnë. Kështu që do eliminohen disa produkte siç ka ndodhur në të kaluarën.”

Kërkesat e tregjeve botërore për esencat nga Shqipëria janë shumë të larta.

“Kërkesat janë shumë të mëdha për bimët aromatike shqiptare, por tek ne valuta ka rënie të jashtëzakonshme. Për sherebelën e kërkon Amerika, kemi të gjitha vendet e botës që eksportojmë.”

Me esencat dhe bimët aromatike merren mbi 800 fermerë të fiskalizuar dhe mbi 4 mijë familje të zonave rurale që bëjnë mbledhjen dhe kultivimin e këtyre bimëve./Tv Klan/

Exit mobile version