Çmimet e naftës ranë nën 84 dollarë në tregjet ndërkombëtare të mërkurën, nën presionin e sinjaleve nga banka qendrore amerikane se do të rrisë sërish normat e interesit, gjë që mund të ngadalësojë ekonominë dhe konsumin e naftës.
Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie pas mesditës ishte me 1.34 dollarë më i ulët se në mbylljen e djeshme dhe arriti në 83.43 dollarë. Në tregun amerikan, një fuçi u tregtua me një çmim më të ulët prej 1.28 dollarë, nga 79.58 dollarë.
Në fokus të tregtarëve të mërkurën ishte edhe politika monetare amerikane. Kreu i zyrës së bankës qendrore amerikane në Atlanta, Raphael Bostic, tha të martën se ka të ngjarë të rrisë edhe një herë normat e interesit për të frenuar inflacionin. Tregjet po spekulojnë se FED do t’i rrisë ato me një çerek pikë përqindjeje në muajin maj, duke i vendosur shanset për një lëvizje të tillë në 85 për qind.
Zyrtarët e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) monitorojnë nga afër inflacionin dhe sinjalizojnë se duhet të vazhdojnë të rrisin normat e interesit në eurozonë. Frika se kostot më të larta të huamarrjes do të ngadalësojnë ekonominë dhe kërkesën për naftë u lanë në hije nga të dhënat për rritjen e fortë të ekonomisë kineze në tremujorin e parë, me 4.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe rafinimin rekord të naftës në mars.
Tregtarët gjithashtu injoruan rënien e rezervave të naftës së papërpunuar në SHBA, me rreth 2.68 milionë fuçi, sipas burimeve që citojnë të dhëna nga Instituti Amerikan i Naftës (API).
Rënie kanë shënuar edhe rezervat e benzinës dhe derivateve, thonë ata. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) njoftoi veçmas se të martën çmimi i një fuçie të shportës së naftës të anëtarëve të saj ra me 92 cent, në 85.51 dollarë. /Telegrafi/