Telegrafi

Bie çmimi i naftës, rëndohet ekonomia

Bankat, duke përfshirë Barclays dhe Wells Fargo, po përballen me humbje të mëdha për shkak të një kredie prej 850 milionë dollarë të dhënë për dy kompani të naftës dhe gazit.

Kjo është një shenjë se si rënia dramatike e çmimeve të naftës ka filluar të prekë sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Detajet e kredisë janë publikuar, ndërkohë që delegatët e vendeve të OPEC janë mbledhur në Vjenë për të vendosur mbi politikat që do të ndjekin në lidhje me furnizimin me naftë.
Pasojat e rënies së çmimit të naftës bruto, që ka humbur rreth 30 për qind të vlerës që nga Qershori i këtij viti, po përhapen përtej sektorit të energjisë, duke goditur monedhat, buxhetet kombëtare dhe aksionet e kompanive të energjisë. Rënia e çmimeve po jep efekte serioze tek prodhuesit e mëdhenj që mbështetet në të ardhurat nga eksporti i naftës për të balancuar buxhetet e tyre.

Rubla ruse, ka humbur rreth 27 për qind të vlerës që nga mesi i Qershorit, kur filloi edhe rënia e çmimeve të naftës, ndërsa korona norvegjeze ka rënë me 12 për qind. Në anën tjetër edhe nafta e Nigerisë preku një nivel të ulët rekord gjatë së Enjtes. Edhe kompanitë energjetike janë prekur ndjeshëm.

Aksionet e BP kanë rënë me 17 për qind që nga mesi i Qershorit dhe Chevron është në rënie me 11 për qind. Tashmë, po preken edhe bankat. Barclays dhe Wells Fargo përballen me humbje potenciale për shkak të kredive të dhëna për sektorin energjetik.

Më herët gjatë këtij viti, dy bankat dhanë një linjë kredie prej 850 milionë dollarë për të ndihmuar në bashkimin e Sabine Oil & Gas dhe Forest Oil, dy kompani amerikane. /Telegrafi/