Telegrafi

Bideni e ka shansin për largim të ndershëm – dhe këtë shans duhet ta shfrytëzojë

Nga: Sam Lyman / CNN
Përkthimi: Telegrafi.com

A do të rrijë? Apo do të largohet?

Kjo është pyetja më e rëndësishme në politikën amerikane.

Pas debatit të muajit të kaluar, presidenti Joe Biden po përballet me presion në shtuar të votuesve, për t’u larguar nga gara. Por, duket i pakënaqur nga kritikat e fundit, duke këmbëngulur – në një intervistë të fundit në ABC News – se askush “nuk është më i kualifikuar sesa unë për të qenë president apo për ta fituar këtë garë”. Bideni thotë se është konsultuar me stafin dhe me familjen për këtë çështje. Por, në marrjen e një vendimi kaq të rëndësishëm, do të bënte mirë të shikonte përtej rrethit të tij të afërt, te shembujt e ish-miqve në Senat.

Bideni përballet me një zgjedhje të rëndë: A do të ndjekë rrugën e senatores demokrate Dianne Feinstein? Apo të senatorit republikan Orrin Hatch?

Njëri është tregim paralajmërues; tjetri është model për t’ia dalë mbanë.

Fillimisht, tregimi paralajmërues.

Feinsteini ishte një nga ligjvënëset më të arrira të brezit të vet. I tejkaloi barrierat duke u bërë kryetarja e parë grua e San Franciskos dhe gruaja e parë e zgjedhur në Senat nga shteti i Kalifornisë. Teksa ishte në Senat, e drejtoi nismën për legjislacionin dypartiak për të luftuar dhunën në familje, për të mbështetur liritë civile dhe për të forcuar sigurinë tonë kombëtare. E drejtoi Komitetin e fuqishëm të Rregullave të Senatit dhe Komisionin e Përzgjedhur për Inteligjencën. Dhe, ashtu si Bideni dhe Hatchi, luajti rol kritik në skalitjen e gjykatave si një nga anëtaret më jetëgjata të Komitetit Gjyqësor të Senatit.

Feinsteini u bë ikonë në partinë e saj si ligjvënëse kreative e cila punoi me mirëbesim në të gjithë shtegun – dhe gjithmonë jepte rezultate te votuesit e vet.

Kjo dhe vetëm kjo është mënyra se si ajo duhet të mbahet mend. Por, nuk është kështu.

Një moment i vetëm në kohë nuk duhet të përcaktojë një karrierë politike që zgjati me shumë poste dhe më shumë se katër dekada. Në mendjen e publikut, kjo megjithatë shpeshherë ndodh.

Ai moment erdhi për Feinstein në fillim të verës së vitit 2023. Pas muajve të rënies dërrmuese fizike dhe mendore, një Feinstein e lodhur dhe që mezi njihej u fut në Senat nga një punonjës i ri. Imazhi famëkeq i senatores së shteruar, shkaktoi thirrje të panumërta që ajo të largohej.

Te Feinsteini publiku nuk e pa më pionieren e gjallëruar të dikurshme, por më tepër një politikane të paprekshme – e çorientuar dhe e kërrusur nga pleqëria – që mbahej në jetë me të njëjtin intensitet me të cilin u kap pas pushtetit. Pavarësisht kritikave në rritje nga media dhe te anëtarët e partisë së saj, ajo refuzoi të hiqte dorë nga posti dhe këmbënguli të përfundonte mandatin. Gjithmonë kam pyetur veten nëse zgjodhi të qëndronte me vullnetin e vet apo për shkak të presionit nga stafi.

Vdiq katër muaj më vonë.

Nekrologjitë e shkruara për Feinsteinin njohën arritjet e saj të shumëfishta. Por, edhe disa nga nderimet më të zjarrta erdhën me asterisk: Feinsteini kishte qëndruar shumë gjatë, duke dëmtuar përherë reputacionin dhe trashëgiminë e vet. Siç shkroi Mark Leibovich në The Atlantic, “Një mësim nga karriera e Dianne Feinsteinit: Rri shumë gjatë në punë dhe rrezikon të humbasësh kontrollin e finales”.

Tingëllon si e njohur?

Duke qëndruar në garën presidenciale, Bideni duket se po ndjek skenarin e Feinsteinit – dhe të gjyqtares së Gjykatës së Lartë, të Ruth Bader Ginsburgut përpara saj. Dhe, tani edhe ai rrezikon të humbasë kontrollin e finales, duke njollosur karrierën e mirënjohur me refuzimin kokëfortë për t’u larguar.

Lajmi i mirë: nuk duhet të jetë kështu. Bideni nuk ka ende gjendje të diagnostikuar mjekësore si Feinsteini. Pra, ka ende kohë për të zgjedhur një rrugë tjetër – atë të mikut të tij të vjetër, Orrin Hatch.

Hatch, Biden dhe Feinstein ishin të gjithë bashkëkohës në Senat. Ata të gjithë kishin karriera të mira legjislative. Por, Hatch, më shumë se çdo senator tjetër i brezit të vet, dukej se e kuptonte rëndësinë e daljes së ndershme.

Kur Hatch zgjodhi të jepte dorëheqjen në 2018, politikisht ishte në krye të lojës. Si president pro tempore i Senatit, ishte i treti në radhë për Presidencën. Sapo kishte kaluar reformën gjithëpërfshirëse të taksave, një gurthemel ky i përshtatshëm për një karrierë të arritjeve të thella legjislative që ndër qindra të tjera përfshinin Aktin e Rivendosjes së Lirisë Fetare, Aktin e Amerikanëve me Aftësi të Kufizuara dhe Programin Shtetëror të Sigurimit Shëndetësor të Fëmijëve. Hatch gjithashtu kishte marrë pjesë në seancat e konfirmimit të më shumë se gjysmës së të gjithë gjyqtarëve federalë që kishin shërbyer ndonjëherë, duke përfshirë 15 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.

Gjatë mandatit të tij 42-vjeçar, Hatch kishte mbushur karrierën e pesë senatorëve në një. Si kryetar i Komitetit të Financave të Senatit dhe si republikani më me përvojë në Senat, ai – si Bideni – mund të kishte shërbyer në një mandat tjetër dhe të vazhdonte të luante rol të jashtëzakonshëm në formësimin e politikës.

Por, zgjodhi të mos e bënte këtë.

Pse?

Sepse ai e kuptoi rëndësinë e dy gjërave: të dalë në maje dhe t’ia hap rrugën brezit të ardhshëm.

Vendimi i Hatch për t’u pensionuar më 2018, ishte edhe më i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh presionin e jashtëzakonshëm me të cilin u përball nga drejtuesit e partisë së tij për të kandiduar për një mandat tjetër. Udhëheqësi i atëhershëm i shumicës, Mitch McConnell, ishte i pari ndër kolegët e Hatchit që i kërkonte të qëndronte në Senat. Dhe, presidenti i atëhershëm Donald Trump shkoi aq larg sa planifikonte një udhëtim të posaçëm në Salt Lejk Siti për të inkurajuar senatorin që të kërkojë rizgjedhjen.

Si autor për një kohë të gjatë i fjalimeve të Hatchit, e pashë teksa luftonte me vendimin e rëndë nëse do të qëndronte apo do të largohej. Por, me largpamësinë dhe përulësinë karakteristike, arriti në përfundimin se mund t’i shërbente më së miri vendit duke ia dhënë fundin shërbimit të vet në Senat, duke hapur kështu një rrugë për udhëheqësit më të rinj.

Në njoftimin e tij të daljes në pension, Hatch ngacmoi me atë se çfarë do të ndodhte më pas: “Mund të largohem nga Senati, por kapitulli tjetër në shërbimin tim publik sapo ka filluar”. Ai kapitull tjetër ishte ai i mentorimit. Në përfundim të mandatit, Hatch theksoi rëndësinë e përcjelljes së mësimeve të qeverisjes tek ata që do të vinin pas tij dhe premtoi se do t’ia kushtonte pjesën tjetër të jetës rritjes së një brezi të ri të politikanëve me mënyrat e marrëveshjeve dypartiake.

Hatch e kaloi provën përfundimtare, atë që ndan politikanët nga shtetarët. E kuptoi se masa e vërtetë e një lideri nuk është të grumbullosh pushtet, por të dish se kur – dhe si – të heqësh dorë prej tij. Në këtë aspekt, presidenti George Washington dha shembullin përfundimtar.

Washingtoni ishte në kulmin e pushtetit kur zgjodhi të mos kërkonte mandat të tretë si president. Ky vendim vetëmohues përforcoi rëndësinë e qeverisjes së kufizuar, kufizimet joformale të mandatit dhe ndarjen e pushteteve. Ajo ia dha fundin karrierës së tij politike, por ia dha jetën demokracisë që erdhi pas tij.

Hatch ka marrë vendim të ngjashëm duke u bërë mentor dhe duke hapur rrugën për udhëheqësit e ardhshëm. Kjo është arsyeja se pse trashëgimia e tij e politikëbërjes së arsyeshme qëndron sot e fortë përmes stafit që ai ngriti, përmes gjyqtarëve që mbrojti dhe punës së vazhdueshme të Fondacionit Orrin G. Hatch.

Bideni tani përballet me të njëjtin test të lidershipit: A do ta dorëzojë pushtetin e vet për trashëgiminë e vet? A do të sillet ai si burrështetas duke ia kaluar stafetën brezit të ardhshëm? Apo, do ta ruajë pushtetin në kurriz të partisë dhe të kombit të vet?

Është zgjedhje e thjeshtë midis Feinsteinit dhe Hatchit. Për të mbrojtur eksperimentin amerikan, Bideni dhe anëtarët e tjerë të gardës së vjetër do të bënin mirë të ndiqnin shembullin e Hatchit. /Telegrafi/