Telegrafi

Biden “i zhgënjyer” që Xi i Kinës nuk do të marrë pjesë në samitin e G20

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se është “i zhgënjyer” që homologu i tij kinez Xi Jinping planifikon të anashkalojë samitin e ardhshëm të G20 në Indi.

Reagimi i tij vjen pas raportimeve se kryeministri kinez Li Qiang pritet të përfaqësojë Pekinin në samitin në Delhi këtë javë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Jam i zhgënjyer… por do të shkoj ta takoj”, u tha Biden gazetarëve të dielën, por nuk tha se kur mund të zhvillohet ai takim.

Të dy liderët u takuan për herë të fundit në samitin në Indonezi vitin e kaluar.

Raportet e lajmeve, duke cituar burime të paidentifikuara të njohura me përgatitjet për takimin vjetor, thonë se Xi nuk ka në plan të marrë pjesë në samitin e këtij viti.

Kjo vjen në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve midis Kinës dhe Indisë.

Ndër të tjera, të dy vendet po përballen me njëri-tjetrin përgjatë kufirit të tyre të diskutueshëm në rajonin e Himalajeve.

Vetëm javën e kaluar, India protestoi pasi Pekini publikoi një hartë që pretendon shtetin e Arunachal Pradesh dhe pllajën Aksai Chin si territor kinez.

Xi dhe Biden mund të kenë ende një mundësi për të biseduar në nëntor, në një takim midis udhëheqësve të Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit në San Francisko. /Telegrafi/