Joe Biden ka thënë se do të bisedojë me Benjamin Netanyahun e Izraelit, por nuk ka dhënë detaje se kur.
Presidenti amerikan shmangu një pyetje se për çfarë do të bisedonin liderët, duke thënë: “Unë do t’ju them se çfarë do t’i them kur të flas me të”.
Ndërsa i pyetur nëse lufta gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme mund të shmanget, ai u përgjigj: “Duhet të shmanget. Ne me të vërtetë duhet ta shmangim atë”.
SHBA është një aleat i fortë i Izraelit, por ka thënë vazhdimisht se dëshiron të shmangë përshkallëzimin në Lindjen e Mesme.
Deklarata e tij vjen në kohën kur ushtria amerikane tha të dielën se po rrit aftësitë e saj të mbështetjes së operacioneve ajrore në Lindjen e Mesme dhe se po vendos trupa shtesë në gjendje gatishmërie për dislokim të mundshëm në rajon, ndërsa paralajmëroi Iranin kundër zgjerimit të konfliktit.
Njoftimi erdhi dy ditë pasi presidenti Joe Biden udhëzoi Pentagonin të riorganizojë forcat amerikane në Lindjen e Mesme mes shqetësimeve në rritje se vrasja nga Izraeli e udhëheqësit të Hezbollahut, të mbështetur nga Irani mund të shkaktojë reagime hakmarrëse nga Teherani.
Ndryshe, Izraeli goditi më shumë objektiva në Liban të dielën, duke shtuar trysninë mbi Hezbollahun me sulme të reja pas vrasjes së udhëheqësit të grupit, Sayyed Hassan Nasrallah, dhe një numri komandantësh të tjerë të lartë.
Sulmet i kanë dhënë një numër goditjesh të mëdha Hezbollahut pas gati një viti luftimesh ndërkufitare, duke vrarë shumicën e udhëheqjes së tij dhe duke zbuluar dobësi në masat e tyre të sigurisë. /Telegrafi/