Telegrafi

Biden thotë se ‘pandemia ka mbaruar’ megjithë numrin prej qindra vdekjeve në ditë në SHBA

Presidenti amerikan Joe Biden tha në një intervistë të transmetuar të dielën se “pandemia ka mbaruar”, edhe pse vendi vazhdon të përballet me infeksionet e coronavirusit që vrasin qindra amerikanë çdo ditë.

“Pandemia ka mbaruar”, citohet të ketë thënë Biden gjatë një interviste të zhvilluar me programin “60 Minutes” të CBS të mërkurën, përcjell Telegrafi.

“Ne kemi ende një problem me COVID-19. Ne jemi ende duke bërë shumë punë për të. Por pandemia ka mbaruar. Nëse vini re, askush nuk mban maska. Të gjithë duket se janë në formë mjaft të mirë. Dhe kështu mendoj se po ndryshon”.

Numri i rasteve është zvogëluar ndjeshëm që nga fillimi i mandatit të Bidenit, kur më shumë se 3,000 amerikanë po vdisnin në ditë, pasi kujdesi i shtuar, ilaçet dhe vaksinimet janë bërë më të disponueshme.

Por gati 400 njerëz në ditë vazhdojnë të vdesin nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave të SHBA për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Biden kaloi më shumë se dy javë i izoluar në Shtëpinë e Bardhë pas dy periudhave me COVID-19, duke filluar nga korriku.

Gruaja e tij Jill u infektua me virusin në gusht. Biden ka thënë se rastet e lehta ishin një dëshmi e përmirësimeve në kujdes gjatë presidencës së tij.

Biden i ka kërkuar Kongresit 22.4 miliardë dollarë më shumë fonde për t’u përgatitur për një rritje të mundshme të rasteve. /Telegrafi/