Presidenti amerikan Joe Biden do të zbulojë të hënën imazhin e parë të shumëpritur me ngjyra nga teleskopi hapësinor James Webb i NASA-s, konfirmuan zyrtarët e agjencisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, imazhi do të jetë pamja më e thellë dhe me rezolucion më të lartë të universit e kapur ndonjëherë, duke treguar një mori galaktikash siç janë shfaqur deri në 13 miliardë vjet në të kaluarën, sipas NASA-s.
Agjencia dhe partnerët e saj, Agjencia Evropiane e Hapësirës dhe Agjencia Kanadeze e Hapësirës, do të publikojnë një grup të veçantë imazhesh me ngjyra të plota nga teleskopi Webb të martën, por Biden, zëvendëspresidentja Kamala Harris dhe publiku do të kenë “një vështrim” një ditë më herët.
NASA do të informojë presidentin dhe zëvendëspresidentin të hënën, thanë zyrtarët e agjencisë, dhe imazhi i parë do të zbulohet në një ngjarje në orën 17:00 në Shtëpinë e Bardhë (ora 23:00 sipas kohës në Kosovë).
Teleskopi hapësinor James Webb me vlerë 10 miliardë dollarë është teleskopi hapësinor më i madh dhe më i fuqishëm i njerëzimit dhe ekspertët kanë thënë se mund të revolucionarizojë të kuptuarit tonë për kozmosin.
Teleskopi Webb u nis në hapësirë më 25 dhjetor.
Observatori i madhësisë së fushës së tenisit është në gjendje të shikojë më thellë në kozmos dhe në detaje më të mëdha se çdo teleskop që ka dalë përpara tij. /Telegrafi/