Telegrafi

Biden takon sot presidenten Jahjaga

Zëvendëspresidenti i Amerikës, Joseph Biden, pret sot në Shtëpinë e Bardhë presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Kjo është konfirmuar sot edhe nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Klan Kosova  përmes një njoftimi.

Klan Kosova ka njoftuar dy ditë më parë nga burime ndërkombëtare se Presidentja Jahjaga do të pritet të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington nga zëvendësi i Barack Obamës, Biden.

Jahjaga për në SHBA udhëtoi me ftesë speciale të Biden, dhe atje do të pritet me nderimet më të larta shtetërore.

Nuk është konfirmuar ende se për cilat tema konkretisht do të bisedohet në këtë takim të përbashkët në rezidencën e shtetit më të fuqishëm të botës, por Klan Kosova nga burimet e veta mëson se disa nga temat do të jenë; sfidat e Kosovës në arenën ndërkombëtare, fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetësisë, e ardhmja euroatlantike e Kosovës, beteja kundër ekstremizmit fetar, lufta kundër korrupsionit, sfidat nga e kaluar dhe viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë.

Temë diskutimi do të jetë edhe dialogu në rrafshin rajonal, me theks të veçantë ai me Serbinë.

Kjo njëherësh do të jetë edhe vizita e fundit zyrtare e presidentes Jahjaga e cila do ta lë postin e saj në muajin prill.