Analistët politikë vlerësojnë se Biden-i i ka adresuar Qeverisë së vendit kritikën më të rëndë që dikush ia ka bërë ndonjëherë: “Mund të ecni përpara vetëm nëse e luftoni pandëshkueshmërinë, krimin dhe korrupsionin”
Luftimi i korrupsionit dhe ndërprerja e zvarritjes së çështjeve, të cilat janë me rëndësi nacionale për Kosovën, janë mesazhet kryesore ta cilat klasa politike e Kosovës duhet t’i marrë nga vizita e zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden.
Kështu kanë thënë analistët dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare për gazetën “Zëri”.
Sipas tyre, kërkesat e Biden-it janë të qarta. Ai kërkon që ta bëjë politikën kosovare më të vetëdijshme për obligimet që ka karshi qytetarëve të saj.
Analisti Vigan Qorrolli, në një prononcim dhënë “Zërit”, ka thënë se Biden-i bëri thirrje Kosova të mos e çojë kohën dëm, apo duke shpenzuar demokracinë.
“Nuk duan të shpenzojnë më tepër kohë duke e parë se kjo elitë politike nuk ka përgjigje për korrupsionin në vend, për dialogun e pafund me Serbinë, për dialogun e brendshëm politik me opozitën, deri tek absurditete që zgjidhen lehtësisht dhe pa nevojë për ndërhyrje nga jashtë, si demarkacioni me Malin e Zi apo sjellja me pakicat joshqiptare në Kosovë”, ka thënë Qorrolli.
Ai shton se mesazhi më i qartë i Biden-it qëndron në kërkesën për luftë ndaj korrupsionit dhe krimit, aty ku Kosova është më e dobëta. /Zëri/Telegrafi/