Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Joe Biden paralajmëroi sot se një numër më i madh i amerikanëve mund të vdesin nga coronavirusi.
E gjithë kjo nëse administrata e presidentit aktual, Donald Trump vazhdon të bllokojë një tranzicion të qetë, veçanërisht kur bëhet fjalë për një plan të shpërndarjes së vaksinave, raporton cnn.
“Më shumë njerëz mund të vdesin nëse nuk koordinojmë”, paralajmëroi Biden, kur u pyet nga një reporter se çfarë do të rezultonte nga përpjekjet e Trumpit për të bllokuar tranzicionin, transmeton Telegrafi.
“Si mund të vaksinohen mbi 300 milionë amerikanë?” pyeti Biden, duke folur në Wilmington, Delaware.
“Cili është plani i lojës? Është një ndërmarrje e madhe, e madhe, e madhe për ta realizuar atë. Nëse duhet të presim deri më 20 Janar, për të filluar atë planifikim, ai do të na lë pas me një muaj. Kështu që është e rëndësishme që të bëhet, që të ketë koordinim tani”, vazhdoi ai duke shtuar se “Tani ose aq shpejt sa mund ta bëjmë atë”.
Më vonë, në një përgjigje të një pyetjeje nga një reporter tjetër, Biden tha se kishte folur me një numër ligjvënësish republikanë dhe tha se simpatizonte pozicionin e vështirë që presidenti i kishte vendosur.
“Unë shpresoj që Presidenti do të ndriçohet butësisht para se të shkojmë në 20 Janar,” tha Biden.
Ndryshe, kompania amerikane, Moderna gjatë ditës së sotme ka raportuar se ka zbuluar një vaksinë kundër coronavirusit, e cila ka efikasitet prej 95 për qind. /Telegrafi/