Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka quajtur Japoninë dhe Indinë “ksenofobike”, duke i radhitur ato krah Rusisë dhe Kinës si vende që “nuk i duan emigrantët”.
Kritikat e tij ndaj Japonisë vijnë vetëm disa javë pasi ai e quajti aleancën SHBA-Japoni “të pathyeshme” gjatë një vizite shtetërore nga kryeministri japonez, Fumio Kishida.
Gjithashtu, edhe India është partner kyç i SHBA-së, pavarësisht shqetësimeve të amerikanëve për të drejtat e njeriut dhe liritë atje.
Bëhet e ditur se menjëherë pas deklaratës së Biden ka reaguar Shtëpia e Bardhë e cila tha se “presidenti nuk ofendoi asnjërin vend”, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.
Duke folur për një audiencë kryesisht aziatike-amerikane, Biden tha se zgjedhjet në SHBA këtë nëntor kanë të bëjnë me “lirinë, Amerikën dhe demokracinë”.
“Pse? Sepse ne i mirëpresim emigrantët. Mendoni pak. Pse Kina po ngec kaq shumë ekonomikisht? Pse Japonia ka probleme? Pse Rusia? Pse India? Sepse ato janë ksenofobikë. Ato nuk i duan emigrantët”, tha Biden.
Këto komente kanë tërhequr kritika të shumta nga amerikanët.
“Ne duhet të flasim për ato shtete me respekt, pasi ato e meritojnë”, tha ish-zëvendësi ndihmës sekretar i mbrojtjes në SHBA, Elbridge Colby, duke iu referuar Japonisë dhe Indisë si “dy nga aleatët më të fortë të vendit”.
Ndryshe, rritja ekonomike ka qenë e ngadaltë në Japoni dhe Kinë, ndërsa Rusia vazhdon luftën me Ukrainën pavarësisht sanksioneve ndërkombëtare.
Ndërkohë, India ka përjetuar rritje të qëndrueshme duke e tejkaluar Mbretërinë e Bashkuar për t’u bërë ekonomia e pestë më e madhe në botë.
Edhe pse komentet e Biden nga shumë zyrtarë u panë si nënçmuese, Shtëpia e Bardhë mohoi që presidenti të ketë pasur qëllim diçka të tillë.
“Aleatët dhe partnerët tanë e dinë se si presidenti i vlerëson ata, miqësinë dhe bashkëpunimin”, tha zëdhënësi i sigurisë kombëtare amerikane, John Kirby.
Por, deklaratat e Biden mund të mos priten mirë në Indi ku shumica e popullatës beson se presidenti amerikan nuk është miqësor me ta.
Joe Biden në mënyrë të përsëritur ksenofob e ka quajtur edhe ish-presidentin Donald Trump. /Telegrafi/